
Policia e Kosovës ka konfirmuar se është duke trajtuar një rast kanosje ndaj kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, dhe disa deputetëve të kësaj partie.
Më herët, mediat kanë raportuar me burime për një plan atentat në organizim e sipër ndaj kryetarit të LDK’së, Lumir Abdixhiku, dhe disa deputetëve të kësaj partie.
Nga policia kanë deklaruar se janë ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme policore derisa pjesa tjetër u takon organeve të drejtësisë, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
“Policia e Kosovës, në këtë rast drejtoria kompetente e PK-së, ka ndërmarr të gjitha veprimet e nevojshme policore lidhur me rastin/kanosjen në fjalë. Të gjitha veprimet e mëtejme policore do të ndërmerren në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë”, deklaroi Policia e Kosovës.
Një prej deputetëve, emri i të cilit përmendet si cak i sulmit të mundshëm, para gjysmë ore ka deponuar deklaratën e tij në një prej stacioneve të Policisë në Prishtinë, shkruan mediumi.
Shërbimet partnere të Kosovës kanë arritur deri të një informacion se një grup tashmë i identifikuar po planifikon atentat ndaj Kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhikut dhe disa deputetëve të partisë më të vjetër në vend.
Burime të Gazetës Express kanë treguar se këto informacione janë konsideruar jashtëzakonisht të besueshme dhe krerët e LDK’së kanë vendosur t’i njoftojnë organet e rendit.
Ajo që është konfirmuar edhe nga burime tjera është se informatat për planifikimin e vrasjes së Kryetarit të LDK’së dhe disa deputetëve të partisë së tij, kanë ardhur të mërkurën pasdite, ndërkohë që tashmë është identifikuar grupi. Megjithatë, mbeten mister qëllimet e tyre.


