Në kuadër të Edicionit XX Jubilar të Seminarit Ndërkombëtar të Albanologjisë, Universiteti i Tetovës organizoi Panairin Mbarëkombëtar të Librit Akademik dhe Shkencor, më 30 shtator dhe 1 tetor 2026, duke bërë bashkë institucione akademike, shkencore, arkivore dhe shtëpi botuese nga hapësira shqiptare.
Në Panair morën pjesë Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave, Agjencia Shtetërore e Arkivave të Kosovës, Instituti i Historisë “Ali Hadri”, Instituti Pedagogjik i Kosovës, Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore Kulturore të Shqiptarëve në Shkup, Institute for Albanian and Protestant Studies, Shtëpia Botuese “Logos-A”, Shtëpia Botuese “Toena”, Instituti Albanologjik i Prishtinës dhe Universiteti i Tetovës.
Në hapje të Panairit, Prorektori për Shkencë, Prof. Dr. Agon Memeti, theksoi se kjo ngjarje nuk është menduar thjesht si një ekspozim librash, por si një “takim i dijes së shkruar” – një hapësirë ku akademitë, universitetet, institutet, arkivat dhe shtëpitë botuese prezantojnë punën e tyre dhe krijojnë ura të reja bashkëpunimi. Ai nënvizoi gjithashtu se, në një kohë të zhvillimit të shpejtë teknologjik dhe të inteligjencës artificiale, duhet të kujtojmë se “informacioni nuk është domosdoshmërisht dije”, pasi dija kërkon metodë, argument, burime, verifikim, kritikë shkencore dhe përgjegjësi akademike.
Një domethënie të veçantë Panairit i dha fakti se promovimi i botimeve u organizua në Këndin e Kujtesës “Fadil Sulejmani”, një hapësirë që mban emrin e figurës së lidhur pazgjidhshmërisht me historinë dhe themelimin e Universitetit të Tetovës. Në fjalën e tij, Prof. Dr. Agon Memeti theksoi se pikërisht në një vend ku ruhet kujtesa e atyre që besuan në dijen dhe arsimin, promovimi i veprave shkencore merr një simbolikë edhe më të fuqishme: “Kështu lidhen e kaluara, e tashmja dhe e ardhmja e Universitetit tonë: kujtesa që na tregon prej nga vijmë, libri që dokumenton atë që dimë dhe kërkimi shkencor që na orienton drejt asaj që ende duhet të zbulojmë.”
Në kuadër të programit u promovua libri i Prof. Shezair Rrokajt, “Auguste Dozon dhe vepra e tij”, si dhe botime të Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës, Institutit të Historisë “Ali Hadri” dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave.
Panairi krijoi një hapësirë të përbashkët për librin, kërkimin shkencor dhe bashkëpunimin ndërinstitucional, me synimin që takimet e krijuara në Universitetin e Tetovës të vazhdojnë përmes projekteve të përbashkëta, iniciativave botuese dhe bashkëpunimeve të reja shkencore.



