
Personi që është arrestuar për plagosjen e dy qytetarëve serbë në Shtërpcë dyshohet për vrasje në tentativë dhe për rrezikim të përgjithshëm. Prokuroria ka bërë të ditur se, një orë para sulmit, ai kishte shtënë në ajër në Brezovicë, meqë disa persona ia kishin pamundësuar qasjen në rrugën për tek qendra e shijimit. Sipas Listës Serbe, sulmi ishte i planifikuar dhe ka thirrur protestë për të dielën.
“Fëmija është qëlluar në dorën e majtë, bëhet fjalë për plagë të hapur, pak e ënjtur, që është pasojë normale pasi që i është hequr trupi i huaj i metaltë. Edhe pacienti tjetër ka gjendje stabile. Plaga e tij është në pjesën e krahut të majtë, fotografimi është i mirë dhe hemodinamikisht stabil. Krahu s’mund të qepet pasi që këto plagët s’janë pastruar, prandaj do të jenë të spitalizuar edhe disa ditë”, ka thënë Dragan Periq, kirurg në Spitalin “Simonida” të Graçanicës.
Pak orë pas plagosjes së dy të rinjve serbë, autoritetet kanë kapur një të dyshuar shqiptar, pjesëtar i FSK-së.
Prokuroria ka kërkuar masën e paraburgimit pasi dyshon se i arrestuari ka kryer veprat penale vrasje e rëndë në tentativë e shkaktim i rrezikut të përgjithshëm.
Sipas Prokurorisë, para se të shtinte mbi dy të rinjtë, i akuzuari është fjalosur me ta.
“Sipas kërkesës së Prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri me datë 6 janar 2023, rreth orës 14:00, në fshatin Gotovushë, Komuna e Shtërpcës, me dashje ka tentuar që t’i privojë nga jeta të dëmtuarit M. S. dhe S.S., ku pas një mosmarrëveshje verbale të ndodhur aty për aty, e nxjerr revolen e markës ‘Mossberg’ dhe shtie dy herë duke i goditur të dëmtuarit, e që si pasojë e këtyre goditjeve lëndime trupore pësojnë të dëmtuarit, të cilët fillimisht dërgohen në Shtëpinë e Shëndetit në Shtërpcë, e më pas në Spitalin e Graçanicës, me të cilën ka kryer veprën penale ‘Vrasja e rëndë në tentativë’ nga neni 173 paragrafi 1 nënparagrafi 1.1, 1.5 dhe 1.11 lidhur me nenin 28 të KPRK-së”, thuhet në njoftim të Prokurorisë.
Sipas Prokurorisë, i arrestuari dyshohet se një orë para këtij sulmi ka shtënë në ajër në Brezovicë, meqë një grumbull qytetarësh ia kishin pamundësuar kyçjen në rrugën që të dërgon në qendrën e skijimit.
“Po ashtu, sipas Prokurorisë, ndaj të njëjtit ekziston dyshimi i bazuar se me 6 janar 2023, rreth orës 13:00, në Brezovicë, Komuna e Shtërpcës, i pandehuri me përdorimin e armës ka shkaktuar rrezik të madh për jetën e njerëzve, në atë mënyrë që me veturën e tij të markës ‘Golf V’, në pamundësi që të kyçet në rrugën që të dërgon në qendrën e skijimit, meqë aty kishte qenë një grumbull qytetarësh në rrugë, i njëjti kthehet në drejtim të Shtërpcës dhe me revolen e markës ‘Mossberg’ shtie pesë herë në ajër, me çka ka kryer veprën penale ‘Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm’ nga neni 356 paragrafi 1 të KPRK-së”, thuhet në njoftim.
Në Prokurori thonë se i arrestuari ka qenë në veturë me një 20-vjeçar, por i cili nuk është i dyshuar për ndonjë vepër penale.
Pas rastit, për disa orë magjistralja Shtërpcë-Ferizaj është mbajtur e bllokuar nga serbë lokalë. Ajo u lirua mbrëmë nga banorët e Gotovishtës, pas negociatave me policinë.
Ndërkaq, për të dielën, Lista Serbe ka organizuar një protestë në Shtërpcë dhe thanë se Policia dhe KFOR-i duhet t’u qëndrojnë garancive për patrulla të shpeshta.
“Kemi premtime dhe garanci se ashtu do të jetë. Hajde të iu besojmë. Pas kësaj kemi vendosur që barrikadat t’i largojmë, por protesta jonë nuk ndalon këtu, por nesër në Shtërpcë në ora 12 do të kemi një protestë në të cilin do të na bashkëngjiten vëllezërit tanë të veriut të Kosovës”, ka thënë Dalibor Jevtiq, kryetar i Komunës së Shtërpcës.
Zyrtarët e Listës Serbe kanë aluduar se sulmi ishte i planifikuar, por nuk kanë thënë se prej kujt.
koha.net



