Dy aktivistë të LVV-së nga Kosova shoqërohen në protestën në Tiranë, deklarata në polici: Jemi mbështetës të Vetëvendosje

Dy shtetas nga Kosova, të ardhur nga Prishtina, janë shoqëruar nga Policia gjatë protestës së zhvilluar sot në Tiranë.

Sipas të dhënave, të rinjtë kishin udhëtuar drejt Shqipërisë për t’iu bashkuar tubimit, ndërsa njëri prej tyre ka deklaruar se është simpatizant i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe i politikave të Lëvizjes Vetëvendosje.

Para policisë, shtetasi nga Prishtina ka treguar se kishte mbërritur në Tiranë ditën e protestës, së bashku me një mik, me të cilin punon si kamerier. Ai ka deklaruar se vendimi për të ardhur në Shqipëri ishte marrë pas zhvillimeve të fundit politike dhe se synimi i tyre fillestar ishte të merrnin pjesë në një protestë paqësore.

I pyetur për motivet e pjesëmarrjes, i riu ka shpjeguar se kundërshtonte politikat e kryeministrit Edi Rama, të cilat, sipas tij, binin ndesh me ato të qeverisë së Albin Kurtit në Kosovë. Ai ka deklaruar gjithashtu se dëshironte ndryshimin e sistemit politik në Shqipëri dhe ardhjen në pushtet të një qeverie më të afërt me politikat e Vetëvendosjes.

Shtetasi ka mohuar të ketë kryer veprime të dhunshme gjatë protestës. Ai ka pretenduar se shallin që mbante në fytyrë e kishte përdorur për shkak të të ftohtit.

Në dëshminë e tij, ai ka treguar se kishte udhëtuar nga Prishtina me autobus, së bashku me mikun e tij, ndërsa në të njëjtin mjet kishte pasur edhe persona të tjerë nga Kosova që, sipas tij, kishin ardhur për të marrë pjesë në protestë.