
Viti 2023 pritet të shoqërohet me ndryshime të rëndësishme në infrastrukturën sportive. Më saktësisht pritet që të ndërhyhet për të bërë nga e para stadiume të cilët kanë nevojë për rikonstruksion dhe u përkasin klubeve me emër në futbollin e vendit tonë.
Ka qenë kryeministri Edi Rama i cili me një postim në rrjetet sociale ka zbuluar se stadiumet e Durrësit, Vlorës dhe Korçës do të jenë pjesë e investimeve për vitin 2023, ashtu si edhe stadiumi “Selman Stërmasi” në kryeqytet.
“3 stadiume të reja nisin me 3 konkurse ndërkombëtare brenda pranverës, në Durrës, Vlorë dhe Korçë. Dhe “Selman Stërmasin” me Bashkinë e Tironës besoj”, shkruante Rama në postimin e tij duke bërë të qartë se këto do të jenë etapat e radhës të investimeve në infrastrukturën sportive.
Stadiumet “Skënderbeu”, “Flamurtari”, “Niko Dovana” dhe “Selman Stërmasi” përflitet prej vitesh se do të rikonstruktohen por deri tani projektet e propozuara nuk kishin marrë dritën e gjelbër nga autoritetet përkatëse, meqenëse të gjithë impiantet në fjalë janë në pronësi të bashkive, edhe pse u janë dhënë në përdorim klubeve.




