LajmeMaqedoniOpinionTopLajm

Robelli: Maqedonia e Veriut në NATO dhe drejt BE, i jep siguri edhe rajonit

Maqedonia e Veriut ka shënuar progres viteve të fundit, anëtarësimi në NATO është një arritje që rrit sigurinë jo vetëm të Maqedonisë së Veriut, por edhe të rajonit, thotë në një prononcim për Indeks.mk, analisti politik dhe redaktor i gazetës zvicerane “Tages Anzeiger”, Enver Robelli.

Ai potencon se hapja e negociatave për anëtarësim në BE është një hap i vogël simbolik, por i rëndësishëm për Maqedoninë e Veriut dhe rajonin.

“Jo vetëm në Maqedoninë e Veriut, por edhe në vende të tjera të Ballkanit frustrimi me BE-në është i madh. Kur të mendohet se BE që më 2003 u ka premtuar vendeve të Ballkanit perspektivë në BE dhe që nga atëherë vetëm Kroacia është pranuar në BE, atëherë dëshpërimi duket i kuptueshëm. Por me frustrim nuk bëhet politikë. Edhe më e dëmshme për vendin është të bëhet politikë me parulla pro-ruse. Maqedonia e Veriut, megjithatë, ka shënuar progres viteve të fundit. Hyrja në NATO është e arritur historike dhe rrit sigurinë jo vetëm të Maqedonisë së Veriut, por edhe të rajonit. Hapja e negociatave për anëtarësim në BE është një hap i vogël simbolik, por i rëndësishëm. Agresioni rus kundër Ukrainës ka ndikuar që BE dhe perëndimi në përgjithësi të rrisin vëmendjen ndaj Ballkanit – gjë që është sinjal i mirë”, deklaroi Robelli për Indeks.mk

Duke folur për ndikimin rus mbi vendet e Ballkanit perëndimor, Robelli potencon se ekonomia e Maqedonisë së Veriut lidhjet më të ngushta i ka me vendet e BE-së dhe jo me provincat ruse.

“Qytetarët e Maqedonisë së Veriut të gjitha etnive, falë lirisë së lëvizjes në Zonën e Schengenit, pushimet apo fundjavat i kalojnë në Romë ose Paris – jo në Novosibirsk apo Nishni Novgorod. Edhe ata mijëra shtetas maqedonas që në dekadën e fundit kanë mërguar, kanë pasur një cak: Perëndimin. Lojërat populliste proruse të një pjese të klasës politike në Shkup janë të rrezikshme dhe në thelb – antimaqedonase. Për këtë duhet të jenë të vetëdijshëm qytetarët nga Kumanova në Ohër dhe nga Gjevgjelija në Shkup. Integrimet europiane mbesin ende alternativa e vetme serioze për të ardhmen e rajonit. Madje më mirë është të ëndërrohet për hyrje në BE se sa të fantazohet për aleanca me Rusinë, prej së cilës vetëm në Serbi kanë ikur 150 mijë njerëz, kryesisht të arsimuar mirë. Kur nga Rusia ikin kokat e mençura, çka shohin pozitive te kjo Rusi e Vladimir Putinit nacionalistët regresivë maqedonas?”, nënvizoi Robelli në deklaratën e tij për Indeks.mk

Related Articles

Back to top button
Close
Close