
Nga LSDM kanë akuzuar se Qyteti i Shkupit gjatë gjithë javës ka qenë në kolaps total për shkak të paaftësisë së VMRO-DPMNE-së dhe kuadro vetë saj.
“Pushteti i qytetit të VMRO-DPMNE-së dhe kryetarja Arsovska i shpërfillin të gjitha këto probleme dhe vazhdojnë të akuzojnë njëri-tjetrin për krim. Në ndërkohë qyteti është në stagnim, nuk ka asnjë projekt të ri, e as nuk vazhdojnë projektet e trashëguara nga pushteti i kaluar i qytetit të udhëhequr nga LSDM-ja”, tha Lubica Jançeva nga LSDM.
Por nga VMRO-DPMNE akuzojnë se kaosi i krijuar me transportuesit privat është si rezultat i koalicionit LSDM – DanellaArsovska.
“Shkupi është i bllokuar, dhe shkupjanët janë të bllokuar në kaos trafiku, dhe fajin e ka vetëm LSDM dhe Danela Arsovska. Është e qartë pse VMRO-DPMNE e tërhoqi mbështetjen e saj për Arsovskën. Ne kurrë nuk do të mbështesim kë do që hyn në një koalicion me kriminelët për të bërë marrëveshje të dyshimta”, ka deklaruar Naum Stiollkovski, nga VMRO-DPMNE.
Nga ana tjetër drejtori i Ndërmarrjes së Transportit Publike Shkup, Aleksandar Stojkovski ka deklaruar se borxhi duhet të shlyhet por fillimisht të përcaktohet se cila është shuma reale e saj.
“Obligimi ynë është se duhet ta shlyejmë këtë borxh e premtoj. Por, fillimisht duam ti shohim detyrimet e tyre që duhej t’i kishin realizuar por që nuk i kanë kryer në pesë vitet e fundit”, tha Stojkovski.
Sipas transportuesve privat, nëse deri të dielën në mbrëmje Qyteti i Shkupit nuk ofron asnjë zgjidhje atëherë nga e hëna në mëngjes me 200 autobusë privatë do të bllokohet në tërësi kryeqendrën.



