Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, mori pjesë në hapjen solemne dhe vënien në funksion të centraleve të reja kogjenerative të kompanisë “TESSA Energy” në Shkup.
Gashi e vlerësoi investimin prej 2.5 milionë eurosh, i cili mundëson prodhimin e njëkohshëm të energjisë elektrike dhe termike, duke siguruar ngrohje të qëndrueshme për amvisëritë dhe institucionet.
“Pata kënaqësinë të marr pjesë në hapjen solemne dhe vënien në funksion të centraleve të reja kogjenerative të ‘TESSA Energy’ në Shkup”, deklaroi Gashi.
Sipas tij, bëhet fjalë për një investim që sjell teknologji moderne dhe kontribuon në shfrytëzimin më efikas të burimeve energjetike.
“Përshëndes angazhimin dhe investime të tilla në teknologji moderne, të cilat janë të rëndësishme për sigurinë energjetike, shfrytëzimin më efikas të burimeve dhe krijimin e një mjedisi më të pastër”, theksoi kryetari i Kuvendit.
Gashi vlerësoi se investime të tilla janë të rëndësishme për sigurimin e një furnizimi më të qëndrueshëm me energji dhe për përmirësimin e efikasitetit energjetik.


