LajmeRajonTopLajm

Zhitia e Fazliu kujtohen në 33-vjetorin e rënies

Në 33-vjetorin e rënies së Afrim Zhitisë dhe Fahri Fazliut, kryeministri Albin Kurti, ka thënë se ata i ka mbajtur bashkë ideali për liri.

“Rënia e tyre dëshmorë në të njëjtën ditë dhe vend, ishte epilog i një vepre heroike të shkruar në bashkautorësi. 33 vite më parë, më 2 nëntor 1989, Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu, u vranë nga policë të regjimit okupator, pasi kishin luftuar mbi gjashtë orë, nga mesdita deri në ora 19:00. Ata ishin rrethuar nga policia në një banesë në lagjen Bregu i Diellit në Prishtinë, blloku i tretë, hyrja e tretë, bazë ilegale e tyre. Po bëheshin gati për veprimet e radhës, pasi dy ditët e fundit të jetës, më 31 tetor dhe 1 nëntor, Afrimi dhe Fahriu bashkë me shokë të tjerë të ilegales, u kishin prirë demonstratave në Prishtinë. Idealet e tyre për liri, i bashkuan Afrimin dhe Fahriun gjatë jetës dhe i mbajtën të bashkuar deri në vdekje”, ka shkruar Kurti në Facebook.

Kurti ka shkruar se Zhitia e Fazliu bashkë kanë kontribuuar në rolet e tyre si anëtarë organizatash ilegale.

“Të dy vinin nga trevat e Llapit: Fahriu kishte lindur në fshatin Llaushë më 1963, kurse Afrimi në fshatin Llugë më 1965. Në dramën e historisë hynë bashkë, gjatë demonstratave të vitit 1981 dhe bashkë kontribuuan në rolet e tyre si anëtarë organizatash ilegale, deri në aktin e fundit, kur ranë dëshmorë, duke u përjetësuar në historinë moderne të Kosovës”, ka shkruar Kurti.

Sipas tij trashëgimia e idealeve që kishin ndjekur dhe e veprave që kishin kryer ata, i frymëzoi aktivisht shokët dhe pasuesit e tyre edhe gjatë dekadës në vijim deri në çlirimin e Kosovës më 1999. “Vëllai i Fahriut, Bahriu sikurse edhe shokët e tyre Fadil Vata, Hasan Ramadani dhe më pas Zahir Pajaziti, Ilir Konushevci, Agron Rrahmani dhe shumë të tjerë, do ta shtronin rrugën e lirisë me luftën e tyre deri në vdekje. Lavdi veprës së Afrim Zhitisë dhe Fahri Fazliut, si dhe të gjithë dëshmorëve të rënë për çlirimin e Kosovës!”, ka shkruar Kurti.

Në 33 vjetorin e rënies së tyre, kryetari i Kuvendit Glauk Konjufca, ka bërë homazhe të varrezat e tyre në Velani në Prishtinë.

“Erdhëm për t’i bërë nderimet për heronjtë tanë që e dhanë shembullin më të vyer se si jepet jeta për lirinë e atdhetar sepse ata i luftuan forcat e okupatorit. Ishin shembull që frymëzoi edhe brezat më pas. E mijëra djem e vajza u bashkuan në UÇK duke e përjetuar shembullin e tyre se si me pushkë në dorë duhet t’i dilet përpara okupatorit. Sa të ketë gjallë popull shqiptar ata do të kujtohen e do të nderohen”, është shprehur Konjufca, raporton Ekonomia Online.

Fahri Fazliu dhe Afrim Zhitia, janë vratë më 2 nëntor të vitit 1989, në Bregun e Diellit në Prishtinë, pasi kishin luftuar për disa orë me forcat serbe.

Related Articles

Back to top button
Close
Close