Të punësuarit në Alta Banka: Na thanë t’i transferojmë pagat urgjentisht në bankat e tjera

Të punësuarit në Alta Banka në Serbi kanë marrë pagat para afatit të zakonshëm, me porosinë që paratë t’i transferojnë menjëherë në bankat e tjera, ndonëse drejtuesit më herët i kishin siguruar se gjithçka ishte në rregull.

Këtë e raporton „Nova Ekonomija“, duke iu referuar burimeve anonime nga banka.

Sipas tyre, nga 27 tetori kishte nisur tërheqja masive e mjeteve, ndërsa klientët transferonin shuma të mëdha parash në banka të tjera në Serbi.

Situata u përshkallëzua më 30 tetor, kur në bankë mbërriti një ekip i Bankës Popullore të Serbisë. Po atë ditë, punonjësve iu paguan pagat para kohe dhe iu kërkua që urgjentisht t’i transferonin paratë në banka të tjera. Ata që nuk kishin llogari tjetër, u udhëzuan të hapnin një të tillë.

Shqetësim ka edhe te shtetasit rusë që kishin depozita në Alta Banka. Sipas raportimit, në grupet e Telegramit po diskutohet për fatin e mjeteve që tejkalojnë shumën prej 50 mijë eurosh, e cila përmendet si kufi i depozitave të siguruara.

Pavarësisht zhvillimeve, punonjësit janë njoftuar se të hënën duhet të paraqiten në punë, shkruan „Nova Ekonomija“.