
Lëvizja BESA është e gatshme të bashkëpunojë me çdo parti apo grupim politik në opozitën shqiptare me të cilën do të kishin një synim të përbashkët, e që më në fund të ketë një rotacion pushteti në kampusin politik shqiptar .
“Të gjitha partitë politike me të cilat mund të ulemi, të arrijmë marrëveshje, jemi të gatshëm të bisedojmë për formimin e një fronti të gjerë opozitar“, tha sot kryetari i Lëvizjes BESA, Bilal Kasami në përgjigje të pyetjes së një gazetari.
Ai në një konferencë për media tha se Lëvizja Besa thekson se Raporti i KE-së për vitin 2022 është një raport serioz që, siç tha ai, flet për mungesën e kapaciteteve të Qeverisë për të zbatuar rekomandimet e Komisionit Evropian për anëtarësimin e vendit në BE.
“I vetmi klaster që renditet më lart është ai i politikës së jashtme dhe sigurisë, i cili si i tillë është i balancuar me politikën e BE-së dhe NATO-s, ndërsa të gjitha grupimet e tjera bien në nivele. Madje rezultojnë edhe më të dobëta se raporti i mëparshëm i Komisionit. Stagnim i plotë i progresit në luftën kundër korrupsionit, nepotizmit, paaftësisë së përgjithshme të qeverisë për të menaxhuar në mënyrë transparente financat, si dhe pamundësisë për të tërhequr fonde evropiane dhe keqmenaxhimin e tyre, tani dhe në të kaluarën“, tha Kasami në selinë e partisë në Shkupi.
Në fushën e sundimit të ligjit dhe mbrojtjes së të drejtave të njeriut, Komisioni, siç tha, edhe pse thekson se shteti ka bërë progres në këtë drejtim, shpreh shqetësimin për kushtet dhe gjendjen e burgjeve, të cilat e konsideron tragjike. Sipas tij, “Qeveria është e paaftë të zhvillojë një strategji për reformat në media dhe përshtatjen e Kodit Zgjedhor në përputhje me standardet dhe praktikat ndërkombëtare”– tha ai.



