
Ministria e Drejtësisë njoftoi se në periudhën e ardhshme do të paraqesë kërkesa të reja për ekstradimin e ish-kryeministrit Nikolla Gruevski, i cili është dënuar dhe akuzuar në disa raste dhe po qëndron si azilkërkues në Hungari, si dhe për Afrim Ismailoviq dhe Alil Demiri, të dënuar me burgim të përjetshëm për rastin “Monstra”, të cilët janë në arrati në Kosovë.
“Për Nikolla Gruevskin deri më tani është dërguar një kërkesë për ekstradim nga nëntori i vitit 2018 dhe një shtesë në kërkesën për ekstradim nga qershori i vitit 2019. Është kërkuar ekstradim për të gjitha rastet për të cilat kemi pasur dijeni se janë duke u zhvilluar procedura para organeve gjyqësore maqedonase, gjegjësisht për të gjitha procedurat për të cilat është lëshuar fletarrest. Hungaria ka refuzuar kërkesën për ekstradim më 05.08.2019 me arsyetimin se Nikolla Gruevskit i është dhënë azil dhe sipas ligjit të tyre, personi nuk mund të dorëzohet në vendin nga i cili është arratisur. Gjithë situata në të gjitha proceset gjyqësore po monitorohet me kujdes dhe Ministria e Drejtësisë do të veprojë në përputhje me rrethanat dhe do të paraqesë një kërkesë të re për ekstradim”, deklarojnë nga Ministria e Drejtësisë.
Për Alil Demirin dhe Afrim Ismailoviqin, sërish, për herë të parë nga Republika e Kosovës është kërkuar ekstradim për herë të parë më 15 mars të vitit 2013. Kërkesa për ekstradim ishte refuzuar me aktgjykim të Gjykatës Themelore në Prishtinë nga tetori i vitit 2015, të konfirmuar nga Gjykata e Apelit e Kosovës në janar të vitit 2016. Për të dy ata u kërkua sërish ekstradim më 5 shtator të vitit 2018. Më datë 08.10.2021, nga Ministria e Drejtësisë së Kosovës është marrë njoftim se Ismailoviqit i është refuzuar ekstradimi dhe për Demirin nuk ka pasur përgjigje.
Ministria e Drejtësisë thekson se gjithçka që është kërkuar në procedurë është dorëzuar tek autoritetet e Kosovës.
Përgjigjet zyrtare nga Kosova për refuzimin e ekstradimit të Ismailoviqit janë dërguar dy herë, në shkurt 2016 dhe në tetor 2021. Për Demirin ka një përgjigje zyrtare nga Kosova në shkurt të vitit 2016.
Gjykata e Apelit në Shkup ka nxjerrë aktgjykim me të cilin vërtetohet vendimi i shkallës së parë për rastin “Monstra” me të cilin Alil Demiri dhe Afrim Ismailoviq janë dënuar ligjërisht me burgim të përjetshëm. Për këta persona, Ministria e Drejtësisë do të bëjë sërish kërkesë të re për ekstradim.



