LajmeRajon

Lajçak e Escobar negociuan me të deri pas mesnate, Vuçiç: Arritëm një kompromis të vogël

Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq ka njoftuar se pjesën e dytë të takimeve me emisarët  Gabriel Esobar dhe Miroslav Lajcak, me praninë e Ambasadorit Hill e Kreut të Delegacionit të BE’së në Serbi Emanuele Giaufret, që u zhvilluan të enjten e ka përfunduar, të premten, 15 minuta pas mesnate. Si zakonisht, ai s’ka mundur t’i shmang tonet dramatike, as në postimin në Instagram ku ka shkruar “Lufta po vazhdon e unë po shtirem se nuk jam lodhur”.

Pas rreth dy orë bisedimesh, shefi i shtetit serb ka folur për një kompromis të vogël që mund të arrihet, pa treguar se për çka është fjala. Për targat dhe disa “çështje të mëdha”, siç ka thënë ai, duket se s’do të ketë fare zgjidhje. Vuçiq, ka paralajmëruar vazhdimin e bisedimeve në ditët e ardhshme.

“Besoj që në ditët e ardhshme që janë para nesh, do të mundemi që për një pjesë të vogël, të arrijmë një zgjidhje kompromisi, pasi është e qartë, se për targat dhe disa cështje më të mëdha, s’do të vijmë fare të nje zgjidhje e tillë”.

Ai ka thënë se fakti që po shpreson s’do të thotë asgjë, pasi sipas tij duhen shumë garanci dhe shumë punë. Tutje, Vuçiq ka shtuar se ditët e ardhshme do të punojnë me zell për ta ruajtur paqen për “popullin tonë” dhe që serbëve t’u sigurohet “mbetja e mëtejme” në Kosovë.

Deri tash nuk dihet se për cfarë kompromisi po flet Vuçiq. Gjatë qëndrimit në Prishtinë Escobar e Lajçak kanë dëgjuar qëndrimet e Kryeministrit Kurti i cili ka thënë se nuk heq dorë nga targat RKS dhe reciprociteti në dokumente që planifikohen të zbatohen nga 1 shtatori.

Në një konferencë për media nga Ambasada e ShBA’së në Beograd, i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka thënë se të gjitha marrëveshjet e arritura mes Kosovës dhe Serbisë duhet të zbatohen, përfshirë edhe formimi i Asociacionit, raporton Express. Këtë deklaratë Escobar e ka dhënë pas takimit që zhvilluan mbrëmë ai e Emisari i BE’së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak me Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

Emisari amerikan tha se dialogu duhet të vazhdojë dhe se shpreson në gjetjen e një zgjidhje për targat e dokumentet serbe deri në fund të muajit.

“Dialogu nuk është klinikisht i vdekur, unë nuk jam pjesë e dialogut, Shtetet e Bashkuara nuk janë pjesë e dialogut, por ne mbështesim dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian. Shpresoj që deri në fund të muajit ne do të gjejmë rrugë për të vazhduar. Në të njëjtën kohë, dialogu do të vazhdojë. Të gjitha marrëveshjet do të duhet të zbatohen, përfshirë formimin e Asociacionit”, ka thënë Escobar në konferencë.

Escobar dhe i dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak kanë vizituar këtë javë Kosovën dhe Serbinë, me qëllim të shmangies së tensioneve mes dy vendeve. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb, Vuçiq janë takuar më 18 gusht në Bruksel, por takimi nuk ka pasur ndonjë rezultat konkret.

Takimet e tyre janë mbajtur pas tensionimit të situatës në veri të Kosovës më 31 korrik, meqë serbët lokalë kanë vënë barrikada si shenjë pakënaqësie ndaj hapit të Qeverisë së Kosovës për zbatim të vendimeve për targat dhe dokumentet serbe.

Related Articles

Back to top button
Close
Close