La Liga nuk filloi ashtu siç dëshironte Robert Lewandowski, i cili këtë javë do të mbushë 34 vjeç, të dielën më 21 gusht.
Edhe pse pati disa raste për të shënuar ndaj Rayo Vallecano në “Camp Nou”, ndeshja u mbyll me barazim pa gola. Pavarësisht këtij rezultati, optimizmi i tij nuk është prekur dhe në një intervistë në “La Liga World” polaku shpjegoi: “Unë mendoj se ka kaluar shumë kohë për Barcelonën pa fituar tituj, jam i sigurt se do të fitojmë tituj”.
Ish-sulmuesi i Bayern-it kujtoi se “kur zbulova për herë të parë se Barcelona ishte e interesuar të më sillte në klub, gjithmonë mendoja se ishte momenti perfekt, për mua dhe për klubin”.
Ai shpjegoi më tej: “Nuk doja të luaja gjithë jetën time vetëm në një Ligë.
Gjithçka shkoi mirë në Bundesligë, ishte një përvojë e mirë për mua, por e dija se ishte një hap më shumë për karrierën time të shkoja në La Liga
. Është momenti perfekt për mua dhe është një sfidë e madhe. Unë jam gati. Gjithmonë kam dashur të luaj në La Liga dhe tani jam këtu në Barcelonë dhe jam shumë i lumtur. Shpresoj se të mundemi t’i bëjmë tifozët të lumtur”.