
Shkëndija kaloi në raundin e tretë kualifikues të Ligës së Konferencës së UEFA-s pasi festoi dy herë ndaj letonezëve të Valmieras. Në takimin e dytë në arenën “Todor Proeski”, ekipi tetovar fitoi 3-1 (2-1), duke konfirmuar triumfin nga Riga.
Trajneri Artim Shaqiri në konferencën për media, pas ndeshjes, është shprehur i kënaqur me atë që u shfaq dhe me kalimin e mëtejshëm.
“Nuk dëshiroj të komentoj shumë, pasi fitorja u takon lojtarëve sepse ata vërtet e merituan. Ndoshta nuk luajtëm më së miri, por morëm atë që kërkonim, dolëm në raundin e tretë. Futbolli i mirë nuk fiton gjithmonë, por edhe ne nuk luajtëm shumë keq. Jam i kënaqur me përpjekjet e lojtarëve dhe rezultatin që është solid”.
“AIK-un e njoh që para 23 vitesh kur luaja kundër tij. Kam kujtime të mira, por tani jam si trajner. Do të rikthehem si trajner, me Shkëndijën si kundërshtar. Ne kemi respekt, deri në hyrjen në fushë, pasi kalojmë vijën jashtë, ai zhduket dhe kemi respekt vetëm për veten. E di se çfarë futbolli luan kundërshtari, por kemi kohë të përgatitemi për atë ndeshje, për dy ditë do të fillojmë përgatitjet. Kam miq nga Hamstadi, kam marrë një email nga struganët që jetojnë në Stokholm, të cilët janë të hapur për të ndihmuar për triumfin ndaj AIK-ut”, tha Shaqiri.
Rivali i radhës i Shkëndijës në turin e tretë preliminar të kësaj gare do të jetë pra skuadra e AIK-ut nga Suedia.



