
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, realizoi takim lamtumirës me ambasadoren e Mbretërisë së Suedisë në Republikën e Maqedonisë së Veriut, Kristin Forsgren Bengtson, me ç’rast shprehu mirënjohje për punën e Ambasadës së Mbretërisë së Suedisë, e cila edhe gjatë mandatit të ambasadores Forsgren Bengtson vazhdoi t’i inkurajojë dhe kontribuon në mënyrë të konsiderueshme në zhvillimin dhe avancimin e raporteve ndërmjet dy shteteve dhe jep mbështetje të fuqishme për eurointegrimin e Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Gjatë takimit, siç informojnë nga pres shërbimi i Kuvendit, kryetari Xhaferi foli edhe për rolin e Ambasadës në ndërmjetësimin gjatë realizimit të nismës së Riksdagut suedez të bashkëpunimit për zhvillim demokratik me Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, duke theksuar se njohja me praktikat e mira të përvojës parlamentare shumëvjeçare suedeze edhe për deputetët ishte shumë e rëndësishme, për çka është provë edhe interesi i tyre i madh dhe pjesëmarrja aktive.
Ai e shfrytëzoi rastin për të drejtuar urime për nënshkrimin e protokolleve të aderimit dhe për fillimin e procesit të ratifikimit të anëtarësimit të Suedisë në Aleancën Veri-Atlantike dhe shprehu bindjen se në kohë kur kontinenti ballafaqohet me krizë të madhe të sigurisë, anëtarësimi i Suedisë do të japë kontribut të rëndësishëm në sigurinë e përbashkët. Njëherazi, duke shprehur pritje që ratifikimi i protokolleve të gjendet shpejtë edhe para deputetëve, drejtoi ftesë te Kryetari i Riksdagut, në rast se ka mundësi, të marrë pjesë në këtë akt solemn në Kuvendin tonë.
Ambasadorja Forsgren Bengtson shprehu kënaqësi që gjatë mandatit të saj trevjeçar vendi e ka përmbushur njërin nga qëllimet e vetë strategjikë, anëtarësimin në NATO, ndërsa tani është në prag të përmbushë edhe qëllimin e dytë, anëtarësimin në Bashkimin Evropian. Duke folur për marrëdhëniet bilaterale, theksoi se ato shënojnë trend rritës me vizitat në nivelin më të lartë ndërmjet dy shteteve, ndërsa si jashtëzakonisht të rëndësishëm për bashkëpunimin bilateral parlamentar e vlerësoi bashkëpunimin për zhvillim demokratik, duke nënvizuar se temat e jo përkatësia politike i afron deputetët e dy dhomave ligjvënëse gjatë vizitave studimore të ndërsjella.
Ajo theksoi se mbështetja e fuqishme dhe stabile e Suedisë për integrimin evropian të Republikës së Maqedonisë së Veriut do të vazhdojë edhe në periudhën në vijim, sidomos përmes Strategjisë 2021-2027. Duke vërejtur se njëkohësisht kur Maqedonia e Veriut troket në derën e BE-së, Suedia troket në derën e NATO-s dhe shprehu shpresë se ratifikimi i protokollit për anëtarësimin e Suedisë në NATO do të ndodhë së shpejti.
Kryetari Xhaferi i ndau ambasadores Mirënjohje për kontributin e saj dhe i uroi sukses në përmbushjen e detyrave të saj të reja.



