LajmeMaqedoniTopLajm

89% e viktimave nuk kanë qenë të vaksinuar, MSh: Më shumë të vdekur në qytetet me më pak të vaksinuar

Më shumë të vdekur si pasojë e COVID-19 ka në qytetet ku përqindja e të vaksinuarve është e ulët, ndërsa në ato qytete ku ka pasur vaksinim më të lartë, ka pasur më pak të vdekur si pasojë e virusit, tregon analiza epidemiologjike për periudhën nga korriku deri në fund të gushtit të cilën e publikoi sot Ministria e Shëndetësisë në Maqedoninë e Veriut.

 

“Në qytetet si Gjevgjelia, Kavadari, Resnja dhe Berova ku mbulimi me vaksinim është midis 54-61%, numri i vdekjeve është më i ulët, përkatësisht ka nga 1 të vdekur. Tetova, e priti valën me vetëm 19% të qytetarëve të vaksinuar në korrik, kishte presion më të madh ndaj spitaleve, numrin më të madh të pacientëve të shtruar dhe numrin më të lartë të vdekjeve, 106 deri në fund të gushtit”, njoftuan nga MSh.

 

Sa u përket të vaksinuarve me 2 doza, analiza e Ministrisë së Shëndetësisë tregon se në periudhën 6 gusht deri në 2 shtator, nga gjithsej 22,416 qytetarë që kanë rezultuar pozitiv, vetëm 18% e tyre kanë qenë të vaksinuar plotësisht. Numri më i lartë i të infektuarve janë të pavaksinuar.

 

“Në periudhën katër javore në territorin e vendit kanë vdekur 480 persona me COVID-19. 429 pacientë, apo 89%, e të vdekurve nuk kanë qenë të vaksinuar, ndërsa vetëm 51 pacientë, 10%, e kishin pranuar vaksinën. Sipas analizave të vdekurit kanë pasur kombinim të disa sëmundjeve kronike”, thonë më tej.

 

Sa i përket procesit të vaksinimit Ministria e Shëndetësisë siguron se po zhvillohet pa ndërprerje në të gjitha pikat në vend.

 

“Dje janë vaksinuar gjithsej 13 mijë e 37 qytetarë. Dozën e parë të vaksinës dje e kanë marrë 3 mijë e 475 qytetarë. Deri më tani janë aplikuar gjithsej 1 milion e 292 mijë e 383 doza të vaksinës, ndërsa 555 mijë e 322 qytetarë janë rivaksinuar”, njoftuan nga MSh.

 

Statistikat tregojnë se të paktën një dozë të vaksinës e kanë marrë 53% e popullsisë mbi 40 vjeç, ndërsa 29% janë të moshës 18 deri 39 vjeç. Nga Ministria e Shëndetësisë shkruajnë se vaksinat janë të sigurta dhe efektive dhe mënyra e vetme për të mposhtur pandeminë. Theksojnë se vaksinimi i plotë parandalon formën e rëndë të sëmundjes dhe zvogëlon mundësinë për infektim dhe vdekshmërinë.

Related Articles

Back to top button
Close
Close