LajmeMaqedoniTopLajm

385 studentë të Drejtësisë kërkojnë provimin e jurisprudencës në gjuhën shqipe

Plot 385 studentë shqiptarë të Fakulteteve Juridike në Maqedoninë e Veriut kanë nënshkruar një peticion, përmes të cilit kërkojnë që provimi i jurisprudencës të organizohet edhe në gjuhën shqipe, duke e cilësuar këtë si një të drejtë kushtetuese dhe profesionale që u mohohet padrejtësisht, shkruan gazeta KOHA

Iniciativa është bërë publike nga i diplomuari i Drejtësisë, Mevlan Ademi, i cili ka theksuar se përpjekjet për realizimin e kësaj kërkese kanë nisur vite më parë, që nga koha kur ai ishte kryetar i Parlamentit Studentor.

“Që atëherë kam nisur këtë iniciativë për ta bërë të mundur zhvillimin e provimit më të rëndësishëm për juristët edhe në gjuhën tonë amtare. Pavarësisht përpjekjeve të vazhdueshme ndër vite, deri më sot kemi hasur vetëm në vesh të shurdhër”, ka shkruar Ademi. Ai shton se, ndryshe nga e kaluara, këtë herë kërkesa nuk vjen nga një individ i vetëm.

“Sot nuk jam më vetëm. Sot, 385 juristë të së ardhmes janë bashkuar për të kërkuar një të drejtë të garantuar me Kushtetutë”, thekson Ademi.

Peticioni është dorëzuar zyrtarisht në Ministrinë e Drejtësisë, Inspektoratin për Përdorimin e Gjuhëve, Agjencinë për Zbatimin e Gjuhëve, si dhe në Kuvendin dhe Qeverinë e Maqedonisë së Veriut. Studentët kërkojnë reagim institucional dhe zgjidhje konkrete, duke theksuar se zhvillimi i provimit të jurisprudencës vetëm në një gjuhë krijon diskriminim dhe pabarazi në qasjen profesionale.

Dokumenti i plotë i peticionit është bërë publik, ndërsa tani mbetet të shihet nëse institucionet do ta dëgjojnë zërin e rinisë dhe do të respektojnë të drejtën për përdorimin e gjuhës shqipe edhe në një nga proceset më të rëndësishme për formimin e juristëve në vend.

Ndryshe, që kur në krye të Ministrisë së Drejtësisë ka ardhur Igor Filkovi i ZNAM-it, ai ka refuzuar të nënshkruaj ndonjë dokument që ka edhe gjuhën shqipe. Kështu ndodhë edhe me vërtetimet për provimin e jurisprudencës, dhe dokumentet tjera që dalin nga Ministria e Drejtësisë, shkruan KOHA.

Për të qenë ironia edhe më e madhe, në kuadër të kësaj ministrie funskionon tashmë edhe Inspektorati për zbatimin e Ligjit të gjuhëve, por që as që guxon ta dënojë ose t’i kërkojë ministrit respektimin e Ligjit të gjuhëve.

Related Articles

Back to top button
Close
Close