Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës dhe e Diasporës e Kosovës ka kërkuar sqarime nga autoritetet e Somalisës për vendndodhjen dhe sigurinë e nëntë anëtarëve të delegacionit somalez që e kishin vizituar Kosovën në nëntor.
Në delegacion ishin 11 anëtarë, ndërsa vetëm dy ishin kthyer sipas planifikimit.
Në një notë verbale që Ministria e Jashtme e Kosovës i dërgoi asaj të Somalisë, të cilën e ka publikuar mediumi somalez “Garoweonline”, autoritetet e Kosovës shprehin shqetësimin e thellë për largimin e nëntë personave nga akomodimi i siguruar për delegacionin somalez gjatë vizitës nga 25 deri më 28 tetor.
Sipas shkresës, thuhet se nëntë persona janë larguar nga akomodimi rreth orës 19:10 më 27 tetor, pa njoftuar autoritetet kosovare përgjegjëse për shoqërimin e delegacionit.
Në notën verbale thuhet se bazuar në hetimet paraprake nëntë anëtarët e delegacionit të Somalisë ishin larguar në mënyrë të pavarur nga akomodimi dhe kanë mundur të udhëtojnë në ndonjë lokacion tjetër brenda vendit. Por, është thënë se nuk ka informacione të konfirmuara për vendndodhjen e tyre.
Në atë notë verbale thuhet se kreu i delegacionit, ministri për Punë, Banim dhe Rindërtim, Said Mohamed Mohamud dhe zëvendësministrja e Porteve, Fartuun Abdikadir Farah, ishin larguar nga Kosova më 28 nëntor nëpërmjet fluturimit të planifikuar, por nuk u paraqitën edhe nëntë anëtarë tjerë të delegacionit
KOHA ka dërguar pyetje te Ministria e Jashtme e Kosovës lidhur me rastin dhe sapo të marrë përgjigje artitulli do të përditësohet.





