VMRO-DPMNE kërkon që sot në orën 11:00 të mbahet seancë debatuese për rastin e Alta Bankës

Grupi parlamentar i VMRO-DPMNE-së kërkon që seanca mbikëqyrëse për zhvillimet lidhur me Alta Bankën të mbahet sot, më 5 nëntor, duke filluar nga ora 11:00.

Deputeti Bojan Stojanoski njoftoi se partia ka siguruar nënshkrimet e nevojshme për thirrjen urgjente të seancës nga kryetarja e Komisionit parlamentar për Financim dhe Buxhet, Sanja Lukarevska.

Stojanoski rikujtoi se të hënën Komisioni kishte marrë vendim unanim për mbajtjen e seancës mbikëqyrëse për Alta Bankën, ndërsa VMRO-DPMNE kishte kërkuar që ajo të organizohej sa më shpejt.

Sipas tij, në koordinimin e sotëm të grupeve parlamentare ishte propozuar që seanca të mbahej që nesër, por përfaqësuesit e LSDM-së kishin shprehur rezerva lidhur me termin e propozuar.

“Ne propozuam që të shkurtohen të gjitha procedurat e mundshme të parapara me Rregulloren, në mënyrë që të mund t’i ftojmë edhe mysafirët gjatë ditës së sotme të punës dhe t’u japim përgjigje disa prej çështjeve të hapura që lidhen me këtë temë”, deklaroi Stojanoski.

Meqenëse deri në momentin e deklarimit nuk kishin marrë përgjigje për kërkesën, deputetët iu referuan nenit 126, paragrafit 2 të Rregullores së Kuvendit dhe siguruan nënshkrimet e një të tretës së anëtarëve dhe zëvendësanëtarëve të Komisionit për Financim dhe Buxhet.

“Ne kërkojmë nga kryetarja që ta caktojë seancën mbikëqyrëse nesër, në orën 11:00, sepse konsiderojmë se kjo temë e rëndësishme meriton përgjigje tani dhe menjëherë”, theksoi Stojanoski.

Ai nënvizoi se qëllimi i seancës nuk është politizimi i rastit, por hapja e çështjeve me interes publik dhe marrja e përgjigjeve konkrete për qytetarët.

Sipas tij, nuk ka arsye për shtyrje të mëtejshme, pasi Komisioni që nga e hëna ka pasur kohë të mjaftueshme për të realizuar procedurat e nevojshme.

“Le të mos e shtyjmë më dhe ta mbajmë seancën mbikëqyrëse nesër, menjëherë dhe pa vonesa”, apeloi deputeti.

Stojanoski shtoi se deputetët e VMRO-DPMNE-së do t’i parashtrojnë të gjitha pyetjet që interesojnë opinionin, duke vlerësuar se rreth këtij rasti po krijohet panik i panevojshëm dhe se qytetarët meritojnë përgjigje të plota.