VLEN pas zgjedhjeve në Bërvenicë: Votat u përkasin qytetarëve, aty ku është Levica nuk janë shqiptarët

Koalicioni VLEN ka reaguar pas përmbylljes së procesit zgjedhor në Bërvenicë, duke vlerësuar se votimi u zhvillua në mënyrë të lirë dhe demokratike, pa incidente dhe pa shkelje të rregullave zgjedhore.

Në reagimin e tyre, nga VLEN theksojnë se vullneti i qytetarëve duhet të qëndrojë mbi interesat partiake dhe se asnjë subjekt politik nuk mund të pretendojë pronësinë mbi votat.

“Asnjë parti politike nuk i kontrollon votat dhe nuk mund të pretendojë pronësinë mbi to. Votat u përkasin qytetarëve, të cilët janë të lirë të vendosin se kujt do t’ia besojnë mbështetjen e tyre”, thuhet në reagim.

Megjithatë, sipas këtij koalicioni, zgjedhjet në Bërvenicë treguan se vendi ka ende shumë punë për të ndërtuar një model qytetar dhe gjithëpërfshirës.

VLEN kritikon thirrjet që i cilëson si votim mbi baza etnike bashkë me LSDM-në dhe Levicën, duke deklaruar se “aty ku është Levica nuk janë shqiptarët”.

Nga koalicioni paralajmërojnë se një qasje e tillë rrezikon të nxisë retorikën polarizuese dhe të thellojë ndarjet etnike, duke sjellë, sipas tyre, regres në vend të progresit.

Në përfundim, VLEN falënderon të gjithë qytetarët që morën pjesë në zgjedhje dhe shfrytëzuan të drejtën e tyre demokratike për të votuar.