E ardhmja e Marcus Rashford te Manchester United duket gjithnjë e më larg “Old Trafford”. Sulmuesi anglez, i rikthyer këtë sezon pas huazimeve tek Aston Villa dhe Barcelona, nuk po arrin të gjejë hapësirën e dëshiruar në skuadër dhe mund të largohet që në merkaton e janarit.
Futbollisti 29-vjeçar nuk është i kënaqur me minutat e aktivizimit, pasi deri tani ka regjistruar vetëm tetë paraqitje, me një total prej 502 minutash në fushë. Për këtë arsye, Rashford është i hapur ndaj një transferimi, në kërkim të një skuadre ku mund të ketë më shumë vazhdimësi. Edhe drejtuesit e United nuk do të pengonin largimin e tij, pasi nuk janë plotësisht të kënaqur me qëndrimin e sulmuesit.
Ndërkohë, drejtuesit e klubit anglez kanë nisur të shqyrtojnë alternativat për përforcimin e repartit ofensiv. Emri kryesor në listën e dëshirave, sipas “Daily Mail”, është ai i Fermin Lopezit të Barcelonës.
Mesfushori ofensiv spanjoll, i lindur në vitin 2003, është shndërruar në një element të rëndësishëm për katalanasit. Ai ka realizuar gjashtë gola në 13 ndeshje këtë sezon, çka e bën largimin e tij një operacion të vështirë. Barcelona kërkon të paktën 70 milionë euro për kartonin e tij, ndërsa interesimi i Chelsea-t dhe Paris Saint-Germain mund ta rrisë edhe më shumë çmimin.
Një alternativë më ekonomike për Manchester United është Dominic Calvert-Lewin. Sulmuesi anglez, pjesë e Leeds United, ka shënuar pesë gola në 11 paraqitje në të gjitha kompeticionet dhe mund të përfaqësojë një zgjidhje më të përballueshme për “Djajtë e Kuq”.
Për momentin, Fermin Lopez mbetet objektivi kryesor, por kostoja e lartë dhe konkurrenca nga klubet e tjera mund ta komplikojnë ndjeshëm operacionin.


