Vazhdojnë aktivitetet e ripyllëzimit në Malin Sharr – 30 mijë fidane në 12 hektarë

VAZHDOJNË AKTIVITETET E RIPYLLËZIMIT NË MALIN SHARR – 30.000 FIDANË TË RINJ NË 12 HEKTARË

Dje patëm për vizitë e partnerët tanë nga Holanda, me të cilët vizituam sipërfaqet ku aktualisht po zhvillohen aktivitetet e ripyllëzimit, si dhe një pjesë të lokacioneve të ripyllëzuara gjatë vitit të kaluar, me qëllim që të vlerësojmë gjendjen dhe zhvillimin e ripyllëzimeve të reja.

Në kuadër të këtij bashkëpunimi, është paraparë ripyllëzimi i gjithsej 12 hektarëve me 30.000 fidanë të llojeve autoktone pyjore, në lokacionet si vijon:

🌲 Xhermë – 6 hektarë

🌲 Setole – 6 hektarë, të ndara në dy sipërfaqe nga 3 hektarë secila.

Për ripyllëzimin janë paraparë lloje autoktone të drunjëve, ndër të cilat bredhi i bardhë, pisha e bardhë, ahu dhe panjë, me përzgjedhje dhe shpërndarje sipas kushteve natyrore të terrenit.

Veçanërisht e rëndësishme është se bashkëpunimi nuk përfundon me mbjelljen e fidanëve. Gjatë dy viteve të ardhshme është paraparë kujdesi i rregullt, monitorimi i gjendjes shëndetësore të fidanëve dhe plotësimi me fidane të reja aty ku do të jetë e nevojshme.

🌳Vizita ishte gjithashtu një mundësi për të vlerësuar së bashku rezultatet e ripyllëzimit të vitit të kaluar, për të shkëmbyer përvoja dhe për të diskutuar mbi aktivitetet e ardhshme për ripërtëritjen e ekosistemeve pyjore.

Për ne, ripyllëzimi nuk nënkupton vetëm mbjelljen e drurëve të rinj. Ai është një proces afatgjatë i ripërtëritjes së sipërfaqeve pyjore të dëmtuara, rikthimit të vegjetacionit natyror dhe krijimit të kushteve për zhvillimin e pyjeve të shëndetshme dhe rezistente.

🤝Mirënjohje për PURE PROMISE dhe partnerët tanë nga Holanda për besimin, mbështetjen dhe përkushtimin ndaj qëllimit tonë të përbashkët.

💚Nuk mjafton vetëm të mbjellim një dru. E rëndësishme është ta ndihmojmë të rritet dhe të bëhet sërish pjesë e pyllit.