Universiteti i Tetovës i mirëpriti studentët e rinj të ciklit të dytë të studimeve

Universiteti i Tetovës më 23 nëntor 2026, organizoi pritjen e studentëve të ciklit të dytë të studimeve në fakultetet përkatëse, me rastin e fillimit të semestrit dimëror të vitit akademik 2026/2027.

Në këtë ditë të parë, studentët e rinj u pritën nga përfaqësuesit e fakulteteve, të cilët u uruan mirëseardhje dhe i informuan për organizimin e procesit mësimor, strukturën akademike, procedurat administrative dhe mundësitë që ofron Universiteti i Tetovës gjatë studimeve pasuniversitare.

Gjatë takimeve informative, studentët u njohën me programet studimore, organizimin e ligjëratave, mënyrën e realizimit të mësimit në formë të kombinuar, me prani fizike dhe online, si dhe me përdorimin e platformave elektronike LMS, Google Classroom dhe Google Meet. Vëmendje e veçantë iu kushtua edhe procedurave të regjistrimit të lëndëve, sistemit të kredive ECTS, afateve të provimeve dhe obligimeve që duhet të përmbushin gjatë studimeve.

Për studentët e rinj u organizua edhe shpërndarja solemne e indeksave, duke shënuar kështu një moment të rëndësishëm në rrugëtimin e tyre të ri akademik.

Semestri dimëror i ciklit të dytë do të zgjasë deri më 13 mars 2027. Mësimi do të zhvillohet sipas orareve të përcaktuara nga fakultetet dhe programeve përkatëse të studimit.

Universiteti i Tetovës u uron studentëve të rinj suksese në këtë etapë të re të formimit të tyre profesional, duke i inkurajuar që me përkushtim, përgjegjësi dhe vullnet për dije t’i shfrytëzojnë të gjitha mundësitë që ofron studimi në universitetin tonë.