UFO-të rikthehen në vëmendje, SHBA deklasifikon dhjetëra dokumente të CIA-s dhe Pentagonit! Pamje misterioze nga viti 1952 deri në 2026

Qeveria amerikane ka deklasifikuar dhjetëra dokumente të CIA-s dhe Pentagonit, të cilat përmbajnë raportime mbi fenomene të pashpjeguara ajrore dhe objekte fluturuese të paidentifikuara (UFO).

Sipas raportimit të Fox News, materialet përfshijnë vëzhgime që shtrihen nga viti 1952 deri në vitin 2026 dhe dokumentojnë episode të pazakonta të raportuara nga pilotë, personel ushtarak dhe sisteme radarike.
Ndër materialet më interesante janë tre video të regjistruara nga forcat e armatosura amerikane në Lindjen e Mesme, përkatësisht në vitet 2020, 2023 dhe 2026.

Dy videot e para, me kohëzgjatje 20 dhe 13 sekonda, tregojnë një objekt të paidentifikuar që lëviz nga njëra anë në tjetrën, ndërsa ndiqet nga kamerat optike dhe infra të kuqe.

Ndërsa regjistrimi i vitit 2026, që zgjat 54 sekonda, shfaq disa objekte në ajër. Dy prej tyre ndryshojnë drejtim dhe më pas zhduken nga pamja.

Një tjetër rast i dokumentuar nga radarët në vitin 2023, në pjesën perëndimore të SHBA-së, përshkruan një objekt që lëvizte në një lartësi prej 55 mijë deri në 70 mijë këmbësh, me një shpejtësi 2.5 herë më të madhe se shpejtësia e zërit. Sipas të dhënave të raportuara, objekti kreu edhe një kthesë të menjëhershme prej 39 gradësh.

Dokumentet përmbjnë edhe një episod të vitit 1953, kur një pilot në fermën e tij dhe një avion i Marinës amerikane raportuan se kishin parë të njëjtin objekt, me formën e një gjysmëhëne ose krahu.

Sipas raportimit, objekti qëndroi pezull në ajër për disa minuta përpara se të zhdukej.

Ndërkohë, që në vitin 1952, analistët e inteligjencës amerikane kishin regjistruar rreth 1,500 raportime për të ashtuquajturat “disqe fluturuese” brenda një periudhe pesëvjeçare. Vetëm gjatë muajit korrik të vitit 1952 ishin raportuar 250 raste të tilla.