Gazetari Mislimi: Falemnderit Bilall Kasami që solle sot në Tetovë një copë Shqipërie!

Sot një copë Shqipërie ishte në Tetovë! Faliminderit Bilall!
Kur Shqipëria po shkatërrohet nga gurët e shqiptarëve, sot një copë Shqipërie ishte në Tetovë. Sot çdo shqiptar nuk i kishte sytë nga Shqipëria, por nga një Shqipëri tjetër, nga një Shqipëri larg eshtrave të Ismail Qemalit. Sot të gjithë i kishin sytë nga Tetova e Bilall Kasamit.
Faleminderit, Bilall!
Sot Tetova bëri bashkë edhe ata që janë me Bilall Kasamin, edhe ata që janë kundër tij, edhe ata që ndoshta nuk e dinë fare kush është Bilall Kasami. Sot Tetova i bëri bashkë të gjithë ata që kënduan për flamurin, për historinë, për Shqipërinë, për Skënderbeun e Ismail Qemalin. I bëri bashkë edhe ata që kënduan për Adem Jasharin.
Asnjëherë nuk jam ndjerë më i lumtur se sot, kur përballë meje kisha qindra të rinj të shkollave të mesme, të cilët nuk iu trembeshin as acarit e as shiut. Ata ishin aty, me zemër për Shqipërinë e largët, jo për atë që sot shkatërrohet, por për Shqipërinë që ndërtohet çdo ditë në zemrat e shqiptarëve.
Sot, qindra zemra nxënësish më dhuruan jo pak Shqipëri në mes të Tetovës, por më bënë ta ndiej thellë në shpirt të gjithë Shqipërinë. Në sytë e tyre pashë një Shqipëri që nuk njeh kufij, në zërat e tyre dëgjova historinë tonë dhe në këngët e tyre ndjeva se ky flamur nuk është thjesht një copë pëlhure, por një amanet që kalon nga brezi në brez.
Sot kuptova se Shqipëria nuk është vetëm një territor, nuk është vetëm një shtet dhe nuk është vetëm një hartë. Shqipëria është aty ku një fëmijë këndon për flamurin, aty ku një i ri emocionohet për Skënderbeun, aty ku një prind i mëson fëmijës të mos harrojë gjuhën dhe historinë e tij. Shqipëria është kudo ku rreh një zemër shqiptare.
Andaj, faliminderit Bilall!
Sot pashë të gjallë Skënderbeun e Dibrës në vendin ku ka lindur, por pashë edhe Skënderbeun e gjallë të Krujës, aty ku ai jetoi dhe luftoi. Pashë se historia nuk ka vdekur, se emrat e mëdhenj nuk janë vetëm në librat e historisë dhe se krenaria kombëtare mund të ringjallet në çdo brez, në çdo qytet dhe në çdo festë.
Sot isha UNË, i linduri i vitit 1443, kur shpata e Skënderbeut mbante gjallë çdo zemër shqiptari. Për disa çaste u ndjeva sikur isha kthyer në atë kohë, sikur para meje nuk ishin vetëm qindra nxënës, por një popull i tërë që këndonte për lirinë, për flamurin dhe për identitetin e vet.
Dhe në ato çaste e kuptova se Skënderbeu nuk është vetëm një figurë e së kaluarës. Ai jeton sa herë që një shqiptar e mbron gjuhën, historinë dhe dinjitetin e tij. Jeton sa herë që një fëmijë e shqipton me krenari emrin e tij.
Andaj, faleminderit Bilall!
Tetova, viteve të fundit, është shndërruar në epiqendrën e festës kombëtare. Tetova është shembulli më epik se si mund të festohet Dita e Flamurit. Është qyteti ku mund të krenohesh se je në Krujë, në Dibër e në Vlorë, aty ku ka shkelur këmba e Skënderbeut dhe e Ismail Qemalit.
Në Tetovë flamuri nuk valëvitet vetëm nëpër rrugë e shesh. U valëvitet në zemrat e tetovarëve. Këtu 28 Nëntori nuk është vetëm një datë në kalendar, por një ditë që i bashkon tetovarët, pavarësisht se çfarë bindjesh kanë dhe cilës forcë politike i përkasin.
Andaj, faleminderit, Bilall!
Sot edhe vajza ime e vogël Arbnora këndoi. Ajo ende nuk e di kush është Skënderbeu, nuk e di kush është Ismail Qemali e Adem Jashari. Ajo ende nuk i njeh betejat, sakrificat dhe historinë e popullit shqiptar. Por sot ajo e shijoi Shqipërinë në Tetovë. Këndoi bashkë me qindra vajza të tjera, pa e ditur ndoshta se çfarë peshe kanë ato këngë dhe ai flamur.
Një ditë do t’i tregoj Arbnorës sime se në atë ditë të ftohtë të vitit 2026, mes shiut dhe acarit, ishte pjesë e një feste që nuk ishte thjesht koncert, por një kujtim që do ta mbajë gjatë gjithë jetës. Do t’i tregoj se aty, në Tetovë, qindra fëmijë i dhanë kuptim të ardhmes sonë dhe na dëshmuan se shqiptarizmi nuk trashëgohet vetëm me fjalë, por edhe me shembuj.
Andaj, faleminderit, Bilall!
Dhe në fund, sot nuk dua të flas as për politikë, as për për interesa partiake. Dua të flas për atë që pashë me sytë e mi dhe ndjeva me zemër. Pashë një Tetovë që nuk u dorëzua para shiut, një rini që nuk u dorëzua para të ftohtit dhe një Tetovë që gjeti gjuhën e përbashkët te flamuri.
Sot pamë dy Shqipëri në mes Tetovës, njërën që po shkatërrohet nga gurët e shqiptarëve atje largë dhe tjetrën që po ndërtohet nga zemrat e shqiptarëve këtu afër.
Sot Shqipëria nuk ishte vetëm në Vlorën e Ismail Qemalit e as në Krujën e Skenderbeut, sot Shqipëria ishte në Tetovë. Dhe për këtë ditë, për këtë emocion dhe për këtë kujtim që do të mbetet gjatë, edhe një herë, dua të theem publikisht faliminderit Tetovë, faliminderit Bilall!.