Shkruan: Faton Aliu
Në hapësirën e psiko-gjeografisë ballkanike, ku kufiri mes tragjedisë dhe farsës shpesh shkrihet në një mjegullnajë anakronike, Tiranë-Tjerë’anë ngrihet jo thjesht si kryeqytet, por si një skenë e madhe teatrale e ndërgjegjes sonë kolektive. Këtu, në zemër të Sheshit “Skënderbej” – këtij amfiteatri të hapur të historisë moderne – rri e padukshme, por me peshën e rëndë të fatit, hijen e një İbret Taşı modern. Ky nuk është më thjesht guri i mermerit të bardhë të oborrit të Topkapisë ku dikur matjet e pushtetit vuloseshin me prerjen e kokave; ky është guri ku mpirja morale e një shoqërie në tranzicion të përhershëm pret shpalljen e verdiktit të vet historik.
Në këtë topografi simbolike, pranë një Cellat Çeşmesi imagjinare që buron diku përballë kujtesës së ndryrë të ish-Bllokut dhe syrit vigjilent të SPAK-ut, derdhet një lumë i pafundëm metamorfozash. Peizazhi është një pikturë kubiste e kohës sonë: Sheshi pulson nën ritmin e një parakalimi divergjent. Aty vargojnë në radhë të pafundme fytyrëfshehurit, pirromanët e rendit publik, kalldërëmprishësit e shpresës qytetare, hajdutët me kostume firmato dhe spiunët e vjetër e të rinj të korridoreve të errëta. Mes tyre kalojnë maskarenjtë e çdo stine, politikanë “demokratë” me buzëqeshje prej dyzilësh, klerikë që e kanë shkëmbyer dekalogun me bilancet e mëkateve, dhe mustaqëzgjaturit e nostalgjive të ngrira në kohë. Në këtë shfaqje surrealiste, shfaqet ajo figura e boshatisur nga brenda—një krijesë digjitale e photoshop-uar, mbartëse e një embrioni cinizmi në bark dhe e një flamuri fiktiv në dorë, që ngjan fiks si karikatura e atij partizani komik të monumenteve të vjetra, i cili në njërën dorë mban kazmanë e në tjetrën pushkën, ndërkohë që koha ka ikur prej kohësh nga trajtat e tij prej bronzi.
Në shekujt e shkuar, mbi kalldrëmet e këtij trualli kalëronin çaushët e Perandorisë me autoritetin e dhunës së pashmangshme. Sot, skena ka ndryshuar kostumografinë, por jo natyrën. Mbi të njëjtën tokë kalërojnë demokratët e vetëshpallur—të maskuar në fytyrë e të zhveshur nga ideali—një mozaik gjeopolitik ku ndërthuren hije serbe, greke, ruse, orientale e vendase. Në duart e tyre, kallashnikovët nuk janë më mjete lufte, por kallashnikovë prej fishekzjarri; ata lëshojnë vetëtima spektakolare zhurme e tymi, duke qëlluar pa pushim mbi vetë Shqipërinë dhe mbi ëndrrën e saj më sublime: bindjen dhe përkatësinë e saj Europiane. Ata duan ta kthejnë Tiranën në një shkretëtirë ku guri i paralajmërimit të shërbejë jo për drejtësi, por për frikësim.
Por historia nuk shkruhet nga ata që e shajnë dhe e përlajnë atdheun me baltën e përditshme të ligësisë. Më kot ngrihen turmat e terroristëve-protestuesit rreth Gurit të Paralajmërimit; më kot përpiqen hijet e natës të errësojnë horizontin.Në qendër të kësaj stuhie politike qëndron qëndresa, ajo figurë prej ujku me qafë (dhe tashmë qime) të trashë—simbol i atij burrështetasi që nuk është “njeriu biskot” që thyhet nga flladi i parë i intrigave apo nga pështymat e ekraneve. Përballë vandalizmit të pafytyrë, ngrihet grushti i fortë i kryeministrit, një metaforë e vendosmërisë institucionale për të mos lënë që shteti të shpërbëhet në anarki.
Dhe në fund, mbi këtë kakofoni interesash dhe hije të kaluara, lartësia e Dëshmorëve të Kombit flet me gjuhën e përjetësisë. Bajraku i lirisë dhe i dinjitetit do të valëvitet lart, jo në shtizat e kalbura të provincës së izoluar, por në shtizat e qytetërimit Europian. Tirana e sotme, mes paradoksit të saj ballkanik dhe dëshirës për dritë, dëshmon se Shqipëria Europiane nuk është një iluzion gjeografik, por një destinacion i pakthyeshëm i vulosur nga historia, rezistenca dhe vullneti i një populli që di të ngrihet mbi gurët e tij të paralajmërimit për t’u bërë më në fund zot i vetvetes.


