Në Universitetin e Tetovës u mbajt ceremonia solemne e Kongresit të Dytë Ndërkombëtar, i cili
këtë vit zhvillohet me temën “From Research to Application” – “Nga kërkimi shkencor në zbatim
praktik”. Në këtë ngjarje morën pjesë përfaqësues të institucioneve, profesorë dhe studiues, duke
krijuar një hapësirë të rëndësishme për shkëmbimin e njohurive, përvojave dhe arritjeve më të
fundit shkencore.
Në fokus të Kongresit është ndërlidhja ndërmjet kërkimit shkencor dhe zbatimit të rezultateve të tij
në praktikë, si dhe roli i shkencës në zhvillimin dhe avancimin e fushave të ndryshme akademike e
shoqërore. Kongresin e shpalli të hapur Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Kushtrim
Ahmeti, i cili theksoi se zhvillimi i shkencës dhe kultivimi i kulturës kërkimore janë pjesë e
pandashme e misionit institucional të Universitetit të Tetovës.
Sipas tij, universiteti nuk është thjesht një institucion ku transmetohen njohuritë dhe fitohen
kualifikime akademike, por një hapësirë ku kultivohet mendimi kritik, sfidohen bindjet e
konsoliduara, zhvillohen ide të reja dhe kërkimi shkencor shndërrohet në një instrument për të
kuptuar e përmirësuar realitetin që na rrethon.
“Në një botë që po ndryshon me ritme të jashtëzakonshme, kjo përgjegjësi bëhet gjithnjë e më e
rëndësishme. Sot, shoqëritë tona përballen me transformime të thella teknologjike, ekonomike,
politike dhe kulturore. Zhvillimi i inteligjencës artificiale, ndryshimet demografike, sfidat e
demokracisë, pabarazitë shoqërore dhe zhvillimet në marrëdhëniet ndërkombëtare kërkojnë më
shumë sesa përgjigje të menjëhershme. Ato kërkojnë dije të qëndrueshme, analiza të argumentuara
dhe institucione akademike të afta për të ofruar perspektiva afatgjata.
Pikërisht këtu qëndron rëndësia e kërkimit shkencor. Shkenca nuk duhet të kufizohet vetëm në
identifikimin dhe shpjegimin e problemeve. Ajo duhet të krijojë mundësi për zgjidhjen e tyre, të
ndikojë në hartimin e politikave publike, të përmirësojë praktikat institucionale dhe të kontribuojë
në zhvillimin njerëzor e shoqëror. Prandaj, tema e këtij Kongresi, ‘From Research to Application’,
shpreh një orientim thelbësor: kalimin nga prodhimi i dijes drejt përdorimit të saj me përgjegjësi
dhe me ndikim konkret. Megjithatë, zbatimi i dijes nuk duhet kuptuar vetëm në kuptimin
teknologjik apo ekonomik. Në shkencat shoqërore dhe humane, ndikimi i kërkimit shpesh shfaqet
në mënyra më të thella: në forcimin e institucioneve demokratike, në mbrojtjen e të drejtave të
njeriut, në përmirësimin e arsimit, në zhvillimin e kulturës juridike dhe në krijimin e një shoqërie
më të drejtë e më gjithëpërfshirëse. Një studim që ndihmon në përmirësimin e politikave arsimore,
një analizë që ndriçon një çështje të rëndësishme juridike apo një kërkim që kontribuon në ruajtjen e
kujtesës historike dhe identitetit kulturor, përfaqësojnë forma të rëndësishme të zbatimit të dijes
shkencore.”- theksoi Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Kushtrim Ahmeti.
Në vijim të ceremonisë, Prorektori për Shkencë, Prof. Dr. Agon Memeti, prezantoi programin e
Kongresit, duke dhënë një pasqyrë të detajuar të aktiviteteve shkencore që do të zhvillohen gjatë dy
ditëve të punimeve. Ai bëri të ditur se edicioni i sivjetmë i Kongresit përfshin 168 materiale
hulumtuese, të organizuara në 20 sesione shkencore dhe të ndara në pesë fusha kryesore akademike.
“Kongresi i këtij viti i fillon punimet me 168 materiale hulumtuese, të organizuara në 20 sesione
shkencore, që përfshijnë pesë fusha kryesore akademike. Prej tyre, gjashtë sesione i përkasin
pedagogjisë, nga katër filologjisë, drejtësisë dhe filozofisë e arteve, ndërsa dy ekonomisë dhe
biznesit. Kjo ndarje, e ndërtuar mbi afërsinë tematike të punimeve, mundëson diskutime më të
specializuara dhe shkëmbim të drejtpërdrejtë të rezultateve kërkimore. Kjo shumëllojshmëri
tematike shoqërohet me studime empirike, analiza teorike e krahasuese, kërkime historike, qasje
cilësore dhe modele sasiore. Përmasa ndërdisiplinore e Kongresit qëndron pikërisht në mundësinë
për ta shqyrtuar të njëjtin fenomen nga disa këndvështrime.” – u shpreh Prorektori Prof. Dr. Agon
Memeti.
Një nga pikat më të rëndësishme të fjalës së tij ishte prezantimi i një shembulli konkret të
shndërrimit të kërkimit shkencor në zbatim praktik: platformës RARS – Research Access and
Resource Sharing, e cila tashmë është vënë në funksion. Prorektori Memeti shpjegoi se ideja për
krijimin e kësaj platforme buron nga studimi me titull “Research: A Necessity Priced as a Luxury”,
i cili u pranua dhe u prezantua në vitin 2024 në Forumin Evropian për Sigurimin e Cilësisë, të
organizuar nga Asociacioni i Universiteteve Evropiane (EUA).
“Studimi trajtoi barrierat ekonomike dhe institucionale që kufizojnë qasjen në burimet e kërkimit
shkencor, duke propozuar një model digjital bashkëpunimi. Sot, këtë koncept kërkimor e kemi
shndërruar në një platformë aplikative që mundëson shkëmbimin e të dhënave dhe burimeve
shkencore, identifikimin e bashkëpunëtorëve, krijimin e ekipeve kërkimore dhe koordinimin e
projekteve të përbashkëta.
RARS synon të reduktojë barrierat financiare dhe organizative, të nxisë përdorimin e përbashkët të
resurseve dhe të krijojë mundësi më të barabarta për bashkëpunim ndërinstitucional. Vlera e saj nuk
qëndron vetëm te funksionalitetet teknologjike, por te mundësia për të krijuar një infrastrukturë të
përbashkët kërkimore, që lehtëson shkëmbimin e ekspertizës dhe zhvillimin e kërkimeve të reja. Ky
është, në thelb, kuptimi i kalimit nga kërkimi në zbatim: të identifikojmë një problem, ta analizojmë
shkencërisht, të zhvillojmë një zgjidhje dhe ta vendosim atë në shërbim të komunitetit kërkimor.
Besoj se pikërisht ky duhet të jetë orientimi ynë i përbashkët: të ndërtojmë një universitet që jo
vetëm prodhon dije, por krijon edhe kushtet që ajo të ndahet, të përdoret dhe të sjellë ndikim
konkret.”-theksoi Prorektori për Shkencë, Prof. Dr. Agon Memeti.
Ligjëratën kryesore të Kongresit e mbajti hulumtuesja e lartë në Universitetin e Oksfordit dhe
avokatja mbrojtëse pranë Dhomave të Specializuara të Kosovës, Dr. Rudina Jasini. Ajo prezantoi
temën: “Përtej sallës së gjyqit: Çfarë nënkupton aktgjykimi i Dhomave të Specializuara të Kosovës
për udhëheqjen e UÇK-së, luftën çlirimtare dhe Kosovën?”, duke sjellë në vëmendje çështje me
rëndësi juridike dhe politike, të cilat nxisin reflektim dhe debat akademik.
Punimet e Kongresit do të vazhdojnë edhe gjatë ditës së nesërme, përmes sesioneve tematike dhe
paneleve të diskutimit. Studiues nga vendi, rajoni dhe më gjerë do të prezantojnë rezultatet e
hulumtimeve të tyre dhe do të diskutojnë mbi sfidat aktuale me të cilat përballet kërkimi shkencor.
Përtej prezantimit të punimeve akademike, Kongresi që i punimet i zhvillon më 18 dhe 19 nëntor
2026, synon të shërbejë si një platformë për shkëmbimin e përvojave, krijimin e kontakteve të reja
profesionale dhe forcimin e bashkëpunimit ndërmjet studiuesve të fushave të ndryshme, me synimin
që idetë dhe rezultatet e prezantuara të shndërrohen në iniciativa dhe projekte konkrete të
përbashkëta në të ardhmen.



