Hartimi i strategjisë për mbështetjen e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët u dënuan në shkallë të parë nga Dhomat e Specializuara në Hagë, është duke vazhduar në kuadër të grupit punues të përbërë nga përfaqësues institucionalë dhe të partive politike.
Ndonëse, anëtarët e këtij grupi kanë konfirmuar se janë ndërmarrë hapa konkretë dhe se ekziston koordinim ndërmjet palëve, përmbajtja e strategjisë dhe veprimet e ndërmarra po mbahen konfidenciale.
Ushtruesja e detyrës së kryetares së Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, e cila është pjesë e Këshillit Strategjik, thotë se anëtarët janë pajtuar që procesi të zhvillohet në konfidencialitet, duke nënshkruar edhe një deklaratë për këtë çështje.
Çitaku ka vlerësuar se ka koordinim të mirë dhe seriozitet nga të gjitha palët e përfshira, ndërsa ka theksuar se puna e grupit duhet të vlerësohet përmes veprimeve dhe jo deklaratave publike.
Edhe sekretari i përgjithshëm i Aleancës, Avni Arifi, ka konfirmuar se partitë politike kanë ndërmarrë veprimet e nevojshme në kuadër të këtij procesi, por pa zbuluar përmbajtjen e tyre.
Ai ka theksuar rëndësinë e funksionalizimit të grupit dhe bashkëpunimit me ekipet mbrojtëse, në mënyrë që të sigurohen kapacitetet logjistike dhe financiare për mbrojtjen e ish-krerëve të UÇK-së.
Ndërkaq, ish-ambasadori Sylë Ukshini vlerëson se strategjia duhet të ketë fokus të veçantë në diplomaci, përkatësisht në lobimin në kryeqendrat evropiane dhe ngritjen e çështjeve që lidhen me funksionimin e Gjykatës Speciale.
Grupi punues për hartimin e strategjisë për ish-krerët e UÇK-së kryesohet nga zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca. Ky grup deri tani ka mbajtur dy takime.
Në anën tjetër, një zhvillim tjetër që lidhet me Dhomat e Specializuara është edhe procedura parlamentare për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit që rregullon funksionimin e tyre.
Kuvendi i Kosovës e kishte miratuar këtë ligj më 6 tetor, por presidentja Justina Shiroka-Pula e ktheu atë për rishqyrtim më 22 tetor, pas kërkesës së PDK-së.
Megjithatë, në seancën e 12 dhe 13 nëntorit u përfshi në rend të ditës, por për shkak të mungesës së kuorumit nuk u hodh fare në votim. /Ksp


