“Babai i AI” ngre alarmin: Inteligjenca artificiale mund të sjellë “Çernobilin” e teknologjisë

Një nga “etërit e inteligjencës artificiale”, Geoffrey Hinton, ka paralajmëruar se njerëzimi mund të kishte qenë më mirë nëse kjo teknologji nuk do të ishte zhvilluar kurrë. Sipas tij, brenda këtij ose vitit të ardhshëm mund të ndodhë një incident i madh i shkaktuar nga inteligjenca artificiale, siç mund të jetë një ndërprerje e përkohshme e sistemit financiar ose e rrjetit të furnizimit me energji elektrike.

Shkencëtari 78-vjeçar, fitues i Çmimit Nobel dhe një nga pionierët e krijimit të IA, tha për “The Guardian” se nuk e konsideron veten pesimist për të ardhmen e kësaj teknologjie. Ai beson se kjo teknologji mund t’i sjellë njerëzimit një të ardhme shumë të mirë, por pranon se ekziston edhe mundësia që zhvillimi i saj të ketë qenë një gabim.

Sipas Hinton, brenda dhjetë viteve të ardhshme, ose ndoshta edhe më herët, do të bëhet e qartë nëse njerëzimi do të arrijë të kontrollojë rreziqet e inteligjencës artificiale dhe të përfitojë nga potenciali i saj, apo nëse do të përballet me pasoja serioze, si rritja e pabarazisë mes të pasurve dhe të varfërve, papunësi masive dhe përçarje të shoqërisë.

Ai i bëri këto komente përpara shfaqjes së dokumentarit të ri “AI: Probably Nothing to Worry About”, ku shfaqet së bashku me ish-kolegun e tij në Google, Demis Hassabis. Në dokumentar, Hinton thotë se ndihet i detyruar të flasë publikisht për rreziqet e inteligjencës artificiale, pasi reputacioni i tij e bën një nga zërat më të dëgjuar në këtë fushë.

Në intervistën për “The Guardian”, Hinton kritikoi drejtuesit e disa prej kompanive më të mëdha të inteligjencës artificiale, duke i akuzuar se po nxjerrin vazhdimisht modele gjithnjë e më të fuqishme vetëm për të fituar më shumë para dhe për të dominuar tregun. Ai u shpreh se nuk ka aspak besim te drejtori ekzekutiv i OpenAI, Sam Altman.

“Mendoj se Mark Zuckerberg, Elon Musk dhe Sam Altman i kuptojnë rreziqet, por nuk u intereson. Ata zgjedhin fitimin financiar”, tha Hinton.

Sipas tij, është veçanërisht shqetësuese që Altman drejton një nga kompanitë amerikane më të avancuara të inteligjencës artificiale, të cilat po garojnë me Kinën për zhvillimin e sistemeve më të fuqishme. Nga ana tjetër, Altman ka deklaruar më herët se publiku duhet të ketë besim se OpenAI do të veprojë me përgjegjësi.

Hinton punon në fushën e inteligjencës artificiale prej rreth 44 vitesh. Në vitet 1970 ai zhvilloi konceptin e rrjeteve nervore artificiale, teknologji mbi të cilën mbështeten modelet moderne të AI. Në vitin 2023 ai u largua nga Google për të folur lirshëm mbi rreziqet që, sipas tij, mund të sjellë kjo teknologji.

Ai kujtoi edhe një incident të ndodhur këtë verë, kur agjentë të inteligjencës artificiale të OpenAI tentuan të hynin në platformën Hugging Face. Hinton e krahasoi këtë ngjarje me aksidentin bërthamor të vitit 1979 në centralin Three Mile Island në SHBA, duke e cilësuar si një paralajmërim të parë.

“Besoj se ose këtë vit, ose vitin e ardhshëm, do të ndodhë një ngjarje e ngjashme me Çernobilin, e cila do t’i detyrojë njerëzit ta marrin seriozisht këtë çështje”, tha ai.

Sipas Hinton, një incident i tillë nuk do të ishte bërthamor, por mund të ishte një sulm i mundësuar nga inteligjenca artificiale ndaj rrjetit elektrik, që do të shkaktonte ndërprerje masive të energjisë, ose një sulm që do të nxirrte jashtë funksionit sistemin financiar për disa ditë.

“Imagjinoni çfarë do të ndodhte. Ndoshta do ta rimerrnim veten, por një ngjarje e tillë do t’i zgjonte të gjithë”, u shpreh ai.

Kur u pyet se kujt i referohej me fjalën “ata”, Hinton u përgjigj: “Udhëheqësve botërorë, përveç Donald Trump.”

Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se kundërshton krijimin e një sistemi global për kontrollin e inteligjencës artificiale dhe mbështet idenë që kompanitë ta vetërregullojnë këtë teknologji. Ndërkohë, Hinton mbështet një plan të propozuar nga presidenti i Finlandës dhe 32 vende të tjera, mes tyre Gjermania, Kanadaja, Singapori dhe Australia, i cili parashikon testime të detyrueshme të modeleve më të avancuara të AI, vlerësime të pavarura dhe standarde të përbashkëta ndërkombëtare.

Edhe kryeministri britanik, Andy Burnham, ka deklaruar se gjatë presidencës britanike të G20 do të kërkojë miratimin e një grupi të përbashkët rregullash globale, që të mundësojnë zhvillimin e inteligjencës artificiale duke kufizuar njëkohësisht rreziqet.

Hinton propozon krijimin e një institucioni të ngjashëm me Administratën Amerikane të Ushqimit dhe Barnave (FDA), e cila miraton ilaçet vetëm pasi provohet se përfitimet e tyre janë më të mëdha se rreziqet. Sipas tij, edhe modelet e inteligjencës artificiale duhet të kalojnë testime të detyrueshme dhe të pavarura përpara se të hidhen në përdorim.

Për shkak të rolit të tij në zhvillimin e inteligjencës artificiale, Hinton është krahasuar shpesh me Robert Oppenheimer, shkencëtarin që udhëhoqi projektin për ndërtimin e bombës atomike. Megjithatë, ai nuk e pranon këtë krahasim, duke theksuar se zhvillimi i inteligjencës artificiale ishte rezultat i punës së mijëra studiuesve dhe jo i një personi të vetëm.

Pavarësisht paralajmërimeve të forta, Hinton mbetet optimist se katastrofa mund të shmanget.

“Instinkti im më thotë se ende e kemi situatën nën kontroll. Mund ta parandalojmë një skenar të tillë, por vetëm nëse bëjmë një përpjekje shumë të madhe dhe veprojmë në kohë”, përfundoi ai.