Siljanovska-Davkova vendos veto ndaj Ligjit për Prokurime Publike

Presidentja Gordana Siljanovska-Davkova vendosi veto ndaj Ligjit të ndryshuar për Prokurime Publike, të cilin Kuvendi e miratoi muajin e kaluar. Ajo nuk e nënshkroi dekretin me të cilin ky ligj duhej të hynte në fuqi.

Për Siljanovska-Davkovën, kontestuese është neni 13, sipas të cilit kryetari dhe anëtarët e Komisionit Shtetëror për Ankesa për Prokurime Publike emërohen për një periudhë pesëvjeçare, “me të drejtë riemërimi”. Në ligjin e mëparshëm thuhej “me të drejtë edhe të një zgjedhjeje”.

Sipas arsyetimit të presidentes, “formulimi ‘me të drejtë riemërimi’, ndryshe nga formulimi ‘me të drejtë edhe të një zgjedhjeje’, i cili përcakton qartë kufirin prej 10 vjetësh, është juridikisht i pasaktë dhe i paqartë, qoftë rastësisht apo qëllimisht, dhe lë hapësirë për interpretim arbitrar, në kuptimin e rizgjedhjes së pakufizuar”.

Ajo konsideron se “legalizimi i numrit të pakufizuar të mandateve paraqet rrezik për përqendrimin e pushtetit absolut te një grup i vogël personash që vendosin për shpenzimin e shumave të mëdha të parave shtetërore”.

Siljanovska-Davkova rikujton se puna e këtij komisioni është karakterizuar nga “një sërë problemesh, dyshimesh, akuzash dhe dilemash për punën (jo) të paanshme, (jo) të përgjegjshme dhe (jo) të ligjshme”.