Shqiptarët mbajnë gjallë shtetin! (TABELA)

Nga 80 komunat e Maqedonisë së Veriut, vetëm 15 regjistrojnë shtim natyror pozitiv të popullsisë gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2026, ndërsa 65 të tjera kanë më shumë vdekje sesa lindje. Komunat me shumicë shqiptare shënojnë disa nga rezultatet më të larta të shtimit natyror. Saraji kryeson me 123 banorë më shumë, Çairi me 104 dhe Studeniçani me 97. Në anën tjetër, Manastiri humb 276 banorë, Prilepi 198, Velesi 142 dhe Kumanova 140

Maqedonia e Veriut po përballet me një krizë gjithnjë e më të thellë demografike, ndërsa statistikat për periudhën 1 janar – 30 qershor 2026 zbulojnë dallime të theksuara ndërmjet komunave në raportin mes lindjeve dhe vdekjeve. Të dhënat e Entit Shtetëror të Statistikave tregojnë se shumica dërrmuese e komunave kanë hyrë në një fazë të shtimit natyror negativ, ku numri i personave që vdesin është më i lartë se numri i fëmijëve që lindin, shkruan gazeta KOHA. Megjithatë, harta demografike e vendit nuk është e njëtrajtshme. Komunat me shumicë shqiptare, veçanërisht në Shkup dhe në pjesën veriperëndimore të vendit, vazhdojnë të regjistrojnë bilance pozitive, ndërsa një pjesë e madhe e komunave me shumicë maqedonase përballen me tkurrje natyrore të popullsisë.

SARAJI, ÇAIRI DHE STUDENIÇANI, NË KRYE TË SHTIMIT NATYROR

Saraji është komuna me shtimin më të madh natyror në vend. Gjatë gjashtë muajve të parë të vitit janë regjistruar 236 lindje dhe 113 vdekje, që rezulton me një bilanc pozitiv prej 123 banorësh. Pas Sarajit renditet Çairi, ku janë regjistruar 374 lindje dhe 270 vdekje, përkatësisht 104 banorë më shumë. Në Studeniçan janë regjistruar 149 lindje dhe vetëm 52 vdekje, që përkthehet në një shtim natyror prej 97 banorësh. Edhe Haraçina shënon një rezultat të lartë pozitiv, me 92 lindje dhe 27 vdekje, përkatësisht 65 banorë më shumë. Rezultate pozitive kanë edhe Shuto Orizarja, Zelenikova dhe Sopishta.

Megjithatë, shtimi natyror pozitiv nuk është karakteristikë e të gjitha komunave me shumicë shqiptare. Gostivari regjistron 205 lindje dhe 313 vdekje, përkatësisht minus 108 banorë. Në Kërçovë, 125 lindje kundrejt 231 vdekjeve japin një bilanc prej minus 106 banorësh, ndërsa në Strugë janë regjistruar 214 lindje dhe 231 vdekje, ose minus 17 banorë.

 

MANASTIRI, PRILEPI DHE VELESI, NË RËNIE TË THELLË

Pamja është dukshëm më shqetësuese në disa prej komunave të mëdha me shumicë maqedonase. Manastiri regjistron bilancin më negativ në vend, me 273 lindje dhe 549 vdekje. Kjo nënkupton se brenda vetëm gjashtë muajve numri i vdekjeve e ka tejkaluar atë të lindjeve për 276 persona. Në Prilep janë regjistruar 232 lindje dhe 430 vdekje, përkatësisht minus 198 banorë. Velesi shënon 162 lindje dhe 304 vdekje, duke  regjistruar minus 142 banorë. Kumanova, nga ana tjetër, ka 385 lindje dhe 525 vdekje, ose minus 140 banorë.

Edhe në kryeqytet dallimet janë të mëdha. Ndërsa Çairi dhe Saraji kanë bilanc pozitiv, komunat e tjera të Shkupit regjistrojnë humbje natyrore të popullsisë. Në Kisela Vodë janë regjistruar 221 lindje dhe 349 vdekje, ose minus 128 banorë. Karposhi ka bilanc minus 112, Aerodromi minus 102, Gazi Baba minus 101, Qendra minus 65, Gjorçe Petrovi minus 62 dhe Buteli minus 39 banorë. Këto shifra dëshmojnë se edhe brenda të njëjtit qytet ekzistojnë dallime të konsiderueshme demografike.

Në mesin e komunave me shumicë maqedonase, Zelenikova paraqet një nga  përjashtimet e bilancit negativ. Me 25 lindje dhe 18 vdekje, kjo komunë regjistron shtim natyror prej shtatë banorësh. Megjithatë, Zelenikova ka dhe fshatra shqiptarë dhe nuk është e vetmja komunë me shumicë maqedonase që ka bilanc pozitiv. Edhe Sopishta, gjithashtu që ka fshatra shqiptarë – me 29 lindje dhe 22 vdekje, regjistron shtatë banorë më shumë. Kjo është e rëndësishme për të pasqyruar saktë dallimet demografike. Në përgjithësi, statistikat tregojnë se komunat me popullsi kryesisht maqedonase kanë një tendencë të përhapur të shtimit natyror negativ, ndërsa një numër i konsiderueshëm komunash me shumicë shqiptare vazhdojnë të kenë më shumë lindje sesa vdekje.

ÇFARË TREGOJNË KËTO SHIFRA PËR TË ARDHMEN?

Dallimet e theksuara në natalitet dhe mortalitet ngrejnë pyetje serioze për strukturën e moshës, plakjen e popullsisë dhe zhvillimin e ardhshëm demografik të vendit. Në komunat ku vdekjet tejkalojnë vazhdimisht lindjet, pasojat mund të reflektohen në zvogëlimin e numrit të nxënësve, tkurrjen e fuqisë punëtore dhe rritjen e presionit mbi sistemin pensional e shëndetësor. Nga ana tjetër, komunat me shtim natyror pozitiv mund të kenë nevoja më të mëdha për çerdhe, shkolla, infrastrukturë dhe shërbime publike.

Megjithatë, thënë shkurt – Maqedonia e Veriut po përballet me dy realitete të ndryshme demografike: një pjesë e madhe e komunave po humbasin popullsi për shkak të shtimit natyror negativ, ndërsa disa komuna, kryesisht me shumicë shqiptare, vazhdojnë të regjistrojnë më shumë lindje sesa vdekje. Nëse këto tendenca vazhdojnë edhe në vitet e ardhshme, ato mund të ndikojnë jo vetëm në strukturën demografike të vendit, por edhe në shpërndarjen territoriale të popullsisë, zhvillimin ekonomik dhe planifikimin e politikave publike.