Pamje të pazakonta nga Kina, ku një burrë ka hyrë me ekskavator në një kompleks zyrash qeveritare, duke shkaktuar dëme të mëdha materiale.
Ngjarja ka zgjatur për afro një orë, ndërsa punonjësit dhe qytetarët janë detyruar të largohen me urgjencë nga ndërtesat.
Incidenti ka ndodhur në Qendrën e Zyrave Qeveritare të Distriktit Fengdong, në provincën Shaanxi.
Sipas raportimit të Al Jazeera-s, burri ka përdorur një ekskavator për të goditur hyrjet e ndërtesave, fasadat, dyert prej xhami dhe pjesë të tjera të kompleksit.
Pamjet që janë shpërndarë në rrjetet sociale tregojnë mjetin e rëndë duke lëvizur nëpër ambientet e institucionit dhe duke shkatërruar gjithçka që i dilte përpara, ndërsa njerëzit e pranishëm e ndiqnin ngjarjen nga distanca.
Ekskavatori shkatërroi disa hyrje dhe pjesë të fasadave të ndërtesave. Në hyrjen e Ndërtesës 1 u dëmtuan shkallët, tabela kryesore dhe dyert prej xhami.
Dëme u raportuan edhe në pjesën e pasme të ndërtesës dhe në objekte të tjera të kompleksit. Në total, të paktën gjashtë pjesë të tij u prekën nga incidenti.
Situata shkaktoi panik te punonjësit dhe qytetarët që ndodheshin në institucion.
Një punonjës i qendrës u shpreh për mediat kineze se, sapo u kuptua serioziteti i situatës, nisi evakuimi i menjëhershëm i ndërtesave.
“Ishim shumë të frikësuar. Askush nuk guxoi ta ndalonte”, deklaroi ai.
Sipas dëshmive, burri vazhdoi të shkaktonte dëme deri në momentin kur ndaloi ekskavatorin. Më pas, në vendngjarje ndërhynë forcat speciale të policisë, të cilat arritën ta neutralizonin.
Një tjetër punonjës raportoi se në operacion morën pjesë rreth 20 efektivë të forcave speciale.
Sa i përket motivit të këtij veprimi, Al Jazeera raporton se një nga pistat e mundshme lidhet me një mosmarrëveshje për kompensimet financiare që dyshohet se u detyroheshin banorëve të fshatrave përreth.
Megjithatë, ky informacion nuk është konfirmuar zyrtarisht nga autoritetet kineze dhe motivet e sakta të incidentit mbeten ende nën hetim.
Pas ngjarjes, policia rrethoi zonën dhe nisi mbledhjen e provave për të dokumentuar dëmet dhe për të zbardhur rrethanat.
Funksionimi i qendrës qeveritare u pezullua përkohësisht, ndërsa disa shërbime nisën të riktheheshin gradualisht gjatë pasdites.
Deri në raportimet e fundit nuk kishte informacion zyrtar për persona të lënduar.


