Shqiponja dykrenare valon në Komunën e Kumanovës

Me rastin e 28 Nëntorit – Ditës së Flamurit Kombëtar dhe 114-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, flamuri kuqezi valon në ndërtesën e Komunës së Kumanovës, duke i dhënë qytetit një atmosferë festive në këtë ditë të rëndësishme për shqiptarët.

Vendosja e flamurit kombëtar në objektin e komunës përfaqëson një simbol të respektit ndaj identitetit, historisë dhe vlerave kombëtare të shqiptarëve, si dhe një mesazh të bashkëjetesës dhe respektit të ndërsjellë në një qytet me karakter multietnik.

28 Nëntori mbetet një nga datat më të rëndësishme të historisë sonë kombëtare, që simbolizon lirinë, krenarinë, qëndresën dhe unitetin e shqiptarëve, kudo që jetojnë.

Sot, shqiponja dykrenare valon edhe në zemër të Kumanovës, duke përcjellë mesazhin e krenarisë kombëtare dhe të respektit për të kaluarën historike.