Shi i rrëmbyeshëm dhe borë gjatë fundjavës, temperaturat në rënie!

Moti sot do të jetë i ndryshueshëm, me vranësira dhe reshje të kohëpaskohshme shiu, ndërsa lokalisht reshjet do të jenë më të dendura dhe do të tejkalojnë 20 litra për metër katror brenda 24 orëve. Do të fryjë erë e lehtë deri mesatare nga drejtimi jugor, njoftojnë nga Drejtoria për Punë Hidrometeorologjike.

Temperaturat minimale do të lëvizin nga 3 deri në 8 gradë, ndërsa ato maksimale do të arrijnë nga 6 deri në 12 gradë Celsius.

Në Shkup do të mbajë mot i vranët me reshje të kohëpaskohshme shiu, veçanërisht gjatë pasdites dhe në fund të ditës. Do të fryjë erë e lehtë nga drejtime të ndryshueshme, ndërsa temperaturat do të lëvizin nga 5 deri në 10 gradë Celsius.

Sipas parashikimit, nën ndikimin e aktivitetit ciklonik, gjatë fundjavës moti do të jetë i vranët dhe me reshje. Të shtunën, në disa vende priten reshje më të dendura, mbi 30 litra për metër katror brenda 24 orëve.

Me depërtimin e ajrit më të ftohtë nga veriu, reshjet në disa nga vendet më të ulëta do të kalojnë në shi dhe borë, ndërsa në zonat më të larta dhe në male do të jenë në formë bore.

Në male pritet të formohet shtresë dëbore deri në 20 centimetra, ndërsa në zonat më të larta pritet të krijohet shtresë më e vogël, nga 2 deri në 10 centimetra.

Të dielën, nga fundi i ditës, reshjet do të pushojnë, ndërsa nga e hëna moti do të jetë i qëndrueshëm dhe i ftohtë.