Ministri i Drejtësisë, Jeton Shasivari, zhvilloi sot një takim pune me raportuesit e Komisionit të Venecias, në kuadër të kërkesës për dhënien e një mendimi mbi modelin e propozuar për organizimin dhe mbajtjen e provimit të jurisprudencës.
Në takim morën pjesë edhe kryetari dhe anëtarët e Komisionit për dhënien e provimit të jurisprudencës, të cilët prezantuan dhe demonstruan praktikisht mënyrën e organizimit dhe zhvillimit të provimit, duke u mundësuar raportuesve të njihen drejtpërdrejt me funksionimin e modelit të propozuar.
Gjatë takimit, ministri Shasivari prezantoi bazën kushtetuese dhe ligjore të nismës, argumentet juridike që mbështesin modelin e propozuar, si dhe procesin e gjerë të konsultimeve me përfaqësues të fakulteteve juridike, dekanë dhe organizata studentore.
Shasivari theksoi se synimi i Ministrisë së Drejtësisë është garantimi i qasjes së barabartë në provimin e jurisprudencës, pa cenuar standardet e njëjta profesionale, cilësinë dhe integritetin e tij.
Ai nënvizoi se kërkesa drejtuar Komisionit të Venecias nuk synon konfirmim politik, por një vlerësim të pavarur, objektiv dhe profesional, i cili do të ndihmojë në ndërtimin e një zgjidhjeje juridikisht të qëndrueshme, kushtetuese dhe në përputhje me standardet evropiane.
Ministri Shasivari vlerësoi ekspertizën e Komisionit të Venecias dhe shprehu gatishmërinë e Ministrisë për të shqyrtuar rekomandimet dhe sugjerimet e tij, duke theksuar rëndësinë e dialogut institucional dhe ekspertizës juridike në këtë proces.
“Kjo nuk është garë politike, por çështje e barazisë para ligjit, e mundësive të barabarta dhe e respektimit të standardeve profesionale”, ishte mesazhi i ministrit Shasivari.
Ministria e Drejtësisë mbetet e përkushtuar që parimet e barazisë dhe të drejtave gjuhësore të përkthehen në zgjidhje konkrete, të zbatueshme dhe juridikisht të qëndrueshme, në përputhje me Kushtetutën dhe standardet evropiane.


