Rami Mislimi nxjerr dokumentin origjinal të hyrjes së “Alta Bankës” në Maqedoni e nënshkruar nga Bujare Abazi (DOKUMENT)

Gazetari Rami Mislimi ka nxjerr dokumentin origjinal të nënshkruar nga Bujare Abazi e VLEN-it.
Sipas Akdvendimit që ka nxjerrë Rami Mislimi nga gazeta zyrtare, Komisioni për Letra me Vlerë i Maqedonisë së Veriut ka shpallur të suksesshme ofertën e ALTA BANKA-s nga Beogradi për marrjen e aksioneve të Stopanska Bankës në Manastir, duke i hapur rrugë bankës serbe të sigurojë kontrollin pothuajse të plotë mbi këtë institucion financiar.

Sipas vendimit zyrtar të Komisionit, të miratuar më 16 tetor 2025, ALTA BANKA ka fituar 345.175 aksione të zakonshme të Stopanska Bankës, që përfaqësojnë 88,2852 për qind të numrit të përgjithshëm të aksioneve të zakonshme të emetuara nga banka.

Ndërkohë, nëse llogariten edhe 19.439 aksionet që ALTA BANKA dhe personat e lidhur me të i zotëronin paraprakisht, numri i përgjithshëm arrin në 364.614 aksione, përkatësisht 93,2571 për qind të të gjitha aksioneve të zakonshme të Stopanska Bankës.

Vendimi sqaron se oferta për marrjen e aksioneve ishte dorëzuar më 2 shtator 2025, përmes Komercijalna Bankës në Shkup, ndërsa më 10 shtator Komisioni kishte dhënë lejen për publikimin e ofertës.

Pas përfundimit të procedurës dhe konstatimit të rezultateve, Komisioni për Letra me Vlerë, në bazë të nenit 49 të Ligjit për Marrjen e Shoqërive Aksionare, e ka vërtetuar zyrtarisht suksesin e ofertës.

Vendimi është nënshkruar nga kryetarja e Komisionit për Letra me Vlerë, Bujare Abazi.