Presidentja Shiroka-Pula takon Grupin Punues për strategjinë e mbrojtjes së ish-krerëve të UÇK-së në Apel

Presidentja e Republikës së Kosovës, Justina Shiroka Pula ka mbajtur takim me Grupin Punues për hartimin dhe harmonizimin e Strategjisë Shtetërore lidhur me procedurat e Apelit para Dhomave të Specializuara në Hagë, ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), transmeton Anadolu.

Siç njofton Zyra e Presidentes, në këtë takim të bërë me ftesë të presidentes Shiroka-Pula, kryesuesi i Grupit Punues për hartimin e strategjisë për mbrojtjen e ish-krerëve të UÇK-së në Apel, Glauk Konjufca dhe anëtarët e Grupit, e informuan presidenten Shiroka-Pula për ecurinë e deritashme të punës.

Gjithashtu bëhet e ditur se në takim u diskutua edhe për mbarëvajtjen e punës me qëllim të koordinimit ndërinstitucional, të mbështetjes juridike, institucionale dhe diplomatike për procesin e apelit.

Presidentja Shiroka-Pula shprehu mbështetjen për Grupin Punues, me qëllim të bashkërendimit të veprimeve ndërinstitucionale dhe diplomatike për dokumentimin, mbrojtjen dhe afirmimin e së vërtetës historike të luftës çlirimtare të Kosovës dhe të rolit të UÇK-së.