Juristët kundërshtojnë politizimin e Speciales: Ndryshimet mund t’i kushtojnë Kosovës!

Seanca e së premtes në Kuvendin e Kosovës, e cila zgjati gati 12 orë, përfundoi pa u shqyrtuar projektligji që synon kufizimin e mandatit të Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar. Për shkak të mungesës së kuorumit, pasi në sallë ishin të pranishëm vetëm 38 deputetë, projektligji nuk arriti të hidhej në votim, duke lënë të hapur një çështje që ka nxitur debate të shumta politike dhe juridike. Ndërkohë, Bashkimi Evropian ka shprehur shqetësime serioze për ndryshimet e propozuara, duke rikthyer në vëmendje edhe raportet e Kosovës me partnerët ndërkombëtarë dhe respektimin e obligimeve që rrjedhin nga marrëveshjet e mëparshme.
Përtej dështimit të seancës për të trajtuar këtë projektligj, debati kryesor lidhet me mundësinë dhe pasojat e ndryshimit të kuadrit ligjor mbi të cilin funksionon Specialja. Nisma ka hapur dilema për përputhshmërinë e ndryshimeve me Kushtetutën, kompetencat e institucioneve të Kosovës dhe hapësirën që ato kanë për të ndërhyrë në mandatin e një gjykate të themeluar në bazë të marrëveshjeve ndërkombëtare. Në të njëjtën kohë, mbetet e rëndësishme se si mund të mbrohen të drejtat e ish-drejtuesve të UÇK-së që po përballen me proceset në Hagë, pa krijuar përplasje të reja institucionale apo diplomatike.

Në këtë kontekst, mungesa e kuorumit ka nxitur diskutime edhe për mungesën e një qëndrimi të përbashkët politik lidhur me një çështje kaq të ndjeshme. Ajo që mbetet e paqartë është se çfarë hapash mund të ndërmarrin institucionet e Kosovës në vazhdim dhe nëse ndryshimet e propozuara mund të realizohen brenda kufijve kushtetues dhe pa ndikuar në raportet me aleatët ndërkombëtarë.

Për këto zhvillime, si dhe për rrugën që duhet të ndjekin institucionet e Kosovës në raport me Dhomat e Specializuara, për “Bota sot” kanë folur juristi nga Belgjika, Skënder Musliu, dhe avokati Gazmend Halilaj, të cilët kanë dhënë vlerësimet e tyre për aspektet juridike, kushtetuese, politike dhe diplomatike të kësaj çështjeje.

Musliu: Ky ligj bie ndesh me Kushtetutën, rrezikohen raportet e Kosovës me aleatët

Juristi nga Belgjika, Skënder Musliu, kundërshton ndryshimet e propozuara në Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, duke i cilësuar ato si antikushtetuese dhe në kundërshtim me obligimet ndërkombëtare të Kosovës.

Musliu rikthen në vëmendje mënyrën se si nisi iniciativa për ndryshimin e ligjit, duke vlerësuar se ajo u zhvillua në rrethana të jashtëzakonshme dhe nën tensione të mëdha politike.

Sipas tij, miratimi i ligjit u shoqërua me protesta, sulme fizike ndaj deputetëve të LVV-së, praninë e protestuesve të armatosur, rrethimin e Kuvendit dhe lëndimin e policëve.

“Nën pakënaqësinë ndaj aktgjykimit fajësues për katërshen në Hagë, PDK-ja nisi iniciativën për ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar. Madje, miratimi i këtij ligji u bë në kushte të jashtëzakonshme dhe dramatike, nën presionin e protestave, sulmeve fizike ndaj deputetëve të LVV-së, me protestues të armatosur, Kuvend të rrethuar, policë të lënduar dhe kërcënime ndaj rendit kushtetues. Shkurt, në gjykimin tim, bëhej fjalë për një tentativë për grusht shteti, e cila fatmirësisht dështoi”, shprehet Musliu.

Ai ndalet edhe te procedura e mëvonshme e ligjit, duke e cilësuar paradoksale kërkesën e PDK-së, si propozuese dhe sponsorizuese e nismës, që presidentja të mos e dekretonte atë, por t’ia kthente Kuvendit për rishqyrtim.

“Pas miratimit në lexim të dytë, më 6 tetor, Kuvendi ia dërgoi ligjin presidentes për dekretim. Mirëpo, për habi, PDK-ja, si propozuese dhe sponsorizuese e tij, i kërkoi presidentes që të mos e dekretonte ligjin, por t’ia kthente përsëri Kuvendit për rishqyrtim. Kjo, sipas vlerësimit tim, përbën një absurd juridik. Edhe më absurde është që presidentja e ktheu ligjin për rishqyrtim me arsyetimin se këtë e kishte kërkuar PDK-ja. Presidentja ka të drejtë të mos e dekretojë një ligj dhe t’ia kthejë Kuvendit kur vlerëson se ai cenon rendin juridik dhe kushtetues, por jo thjesht sepse këtë e kërkon propozuesi”, deklaron ai.

Duke komentuar zhvillimet e fundit në Kuvend, Musliu vlerëson se mungesa e kuorumit për shqyrtimin e projektligjit reflekton mungesën e konsensusit ndërpartiak. Ai thekson se LVV-ja, si shumicë parlamentare, sipas tij, kërkon paraprakisht konsultime me Bashkimin Evropian për të gjetur një zgjidhje tjetër.

Sipas juristit, Kuvendi ka dy mundësi: ta miratojë ligjin me 61 vota, ashtu siç është, ose ta nisë procesin nga fillimi, pasi, sipas interpretimit të tij, vendimi i Gjykatës Kushtetuese nuk lejon amendamentimin e tij.