Nuk i deklaruan të gjitha mallrat, zbulohen shkelje gjatë zhdoganimit të automjeteve në Han të Elezit

Një kontroll rutinor doganor në Pikën e Kalimit Kufitar në Han të Elezit ka zbuluar mallra të padeklaruara në vlerë prej rreth 27 mijë eurosh. Disa kamionë të ngarkuar me automjete ishin paraqitur për zhdoganim, por gjatë verifikimit të dokumentacionit, zyrtarët doganorë kanë zbuluar se një pjesë e mallit nuk ishte përfshirë në deklaratat doganore.

Bëhet fjalë për sistemin e shkallëve rrëshqitëse për kabinat e automjeteve, vlera e të cilit, pa përfshirë detyrimet doganore dhe tatimore, arrin rreth 27 mijë euro.

Nga Dogana e Kosovës thonë se rasti po trajtohet sipas procedurave ligjore.

“Gjatë kontrollit dhe verifikimit të dokumentacionit, si dhe harmonizimit të të dhënave të deklaruara me gjendjen faktike të mallrave, zyrtarët doganorë kanë konstatuar se, ndonëse pesha e ngarkesës përputhej me atë të deklaruar, në dokumentacion nuk ishte përfshirë një pjesë e mallit, përkatësisht sistemi i shkallëve rrëshqitëse për kabinën e automjeteve.”

Rasti do të trajtohet në përputhje me Kodin Doganor dhe të Akcizave të Kosovës.