LDK i reagon Shiroka Pulës: E papranueshme largimi i Deklaratës së Pavarësisë dhe fotografisë së Rugovës

Lidhja Demokratike e Kosovës ka reaguar ndaj presidentes së vendit, Justina Shiroka Pula, pasi sipas këtij subjekti politik, ajo ka larguar nga vendet e nderit në Presidencë fotografinë e Ibrahim Rugovës dhe të Deklaratës së Pavarësisë.

Në reagimin e LDK-së thuhet se ato janë vendosur përkatësisht nga ish-presidentja Osmani dhe ish-presidenti Sejdiu.

Një vendim të tillë, LDK-ja e ka konsideruar si të prapranueshëm.

“Presidenca është institucion shtetëror ku nderohen themeluesit e shtetit dhe aktet mbi të cilat është ndërtuar ai. Fotografia e Atit Themelues të Republikës së Kosovës dhe Deklarata e Pavarësisë kanë domethënie historike e shtetërore. Trajtimi i tyre si elemente dekorative që mund të zëvendësohen me vepra arti është i gabuar dhe i papranueshëm.”, thuhet në reagimin e LDK-së.

Në reagim thuhet se presidenti Ibrahim Rugova përfaqëson udhëheqjen historike të përpjekjes së Kosovës për liri, pavarësi dhe demokraci.

Kurse, sipas reagimit, Deklarata e Pavarësisë shpreh vullnetin e popullit të Kosovës për shtet të pavarur e sovran.

Nderimi i tyre në institucionin e Presidencës, sipas LDK-së, është shprehje e respektit ndaj historisë dhe identitetit shtetëror të Kosovës.

“Largimi i këtyre dy simboleve cenon këtë respekt institucional. Presidenca ka përgjegjësi të ruajë vazhdimësinë e shtetit dhe të nderojë trashëgiminë e tij. Kjo përgjegjësi tejkalon mandatin e secilit president dhe duhet të pasqyrohet edhe në mënyrën se si paraqitet shteti në hapësirat e tij zyrtare, para qytetarëve dhe përfaqësuesve të huaj.

LDK-ja kërkon rishikimin e këtij vendimi dhe rikthimin e fotografisë së Presidentit Ibrahim Rugova dhe të Deklaratës së Pavarësisë në vendet e tyre të nderit në Presidencë. Një veprim i tillë do të dëshmonte respektin që institucioni i Presidentit duhet të ketë ndaj themeleve të Republikës që përfaqëson.”, thuhet tutje në reagimin e LDK-së.