Në Kuvend sot nis shqyrtimi në lexim të dytë i Propozim-buxhetit për vitin 2027, në Komisionin për Financim dhe Buxhet. Për buxhetin janë dorëzuar mbi 300 amendamente, ndërsa debati në komision do të zgjasë 10 ditë, përcjell TV21. Të ardhurat e përgjithshme janë planifikuar në 395,4 miliardë denarë (6,43 miliardë euro), ndërsa shpenzimet në 440,4 miliardë denarë (7,16 miliardë euro). Deficiti buxhetor parashihet të jetë 45 miliardë denarë (rreth 731,7 milionë euro), ose 3,5 për qind e PBB-së.
Për investime kapitale janë paraparë 40,8 miliardë denarë (663,4 milionë euro), ndërsa për pagesën e pensioneve 123,8 miliardë denarë (rreth 2,01 miliardë euro). Për transferet sociale janë planifikuar 220,8 miliardë denarë (3,59 miliardë euro).
Ndër projektet infrastrukturore që do të vazhdojnë janë korridoret 8 dhe 10-D, autostradat Kërçovë–Ohër, Kërçovë–Bukojçan dhe Shkup–Bllacë, si dhe investimet në hekurudha dhe transportin publik në Shkup.
Vitin e ardhshëm duhet të shlyhet edhe euroobligacioni prej 500 milionë eurosh, i emetuar në vitin 2023.


