Këtë mesjavë Reali i Madridit do të luajë në Athinë ndaj AEK në sfidën e raundit të katërt të Ligës së Kampioneve.
Trajneri i Los Blancos është shfaqur përpara medias në konferencën e zakonshme për shtyp për të folur për këtë përballje me trajnerin portugez që zgjodhi të japë edhe një mesazh për ndarjen nga jeta të futbollistit të Tenerifes Jesus de Miguel
‘Vdekja e Jesus de Miguel është shokuese për botën e futbollit dhe për persona si ne që jemi çdo ditë në fushë dhe në kompeticione-tha Mourinho-është e rëndë dhe e trishtë. Mesazhet dhe ndjenjat tona shkojnë për familjen dhe miqtë e futbollistit dhe besoj se ky është një moment i vështirë edhe për futbollistin tjetër të përfshirë në këtë situatë’.
Më pas trajneri i Realit të Madridit u kthye te aspekti sportiv duke vënë në pah rëndësinë e sfidës së skuadrës së tij edhe për shkak të ambientit që krijohet në Greqi
‘Duhet të luajmë seriozisht. Jemi pranë kualifikimit për në playoff, por larg kualifikimit direkt në 1/8 e finaleve dhe kemi nevojë për pikë-tha Mourinho-duhet ta marrim seriozisht ndaj një skuadre që është e fortë sidomos në fushën e saj. Fakti që Reali i Madridit ka fituar vetëm 1 ndeshje nga 8 të luajtura në Athinë do të thotë shumë. Duhet të jemi në nivelin maksimal, të luajmë seriozisht dhe të ruajmë nivelin tonë sepse na duhen pikët’
Reali i Madridit ka fituar vetëm një herë këtu në të gjithë historinë e tij, kështu që është e qartë se do të jetë shumë e vështirë për ne-tha Mourinho që u përqendrua më pas në tema në aspektin individual siç është ajo për Federico Valverden dhe vendosjen e tij si mbrojtës krahu.
‘Unë e shoh Valverden si një futbollist të rëndësishem për skuadrën-vijoi tekniku luzitan-fakti që është kapiteni i Realit të Madridit, e bën që të shohë gjithçka që e rrethon në një mënyrë tjetër. Kur je kapiten duhet të jesh ndryshe, ke përgjegjësi dhe kjo përgjegjësi të çon të luash edhe në krahë të majtë të mbrojtjes nëse do të jetë e nevojshme dhe për këtë arsye jam i sigurt se nuk do të ketë asnjë problem. E vërteta është se skuadra është formuar me Valverden si mesfushor dhe unë jam i sigurt se ndonjë ditë do të luajë edhe në mesin e fushës, por për momentin jam i kënaqur me të si mbrojtës krahu’
Në fund, Jose Mourinho iu përgjigj pyetjes se sa kohë do t’i duhet për të pasur Realin Madrid perfekt.
‘Tre vjet-tha portugezi me tone shakaje-kjo skuadër ka shumë potencial, nuk kam asnjë dyshim, por ende nuk kam fituar asgjë. Të shohim se çfarë na rezervon e ardhmja’.


