“Nuk mund ta komentoj opozitën në çdo deklaratë, qëndrimet e tyre ua lë atyre. Por është mirë që si parti politike të dalim para qytetarëve dhe të dëgjojmë se çfarë mungon, në mënyrë që gjatë kësaj periudhe të përmirësojmë politikat tona dhe një pjesë të propozimeve t’i përfshijmë në programin për zgjedhjet e ardhshme, të cilat do të mbahen në prill të vitit 2028”, tha Mickoski.
“Është logjike që edhe unë si kryeministër, edhe Qeveria, duam të dëgjojmë se ku jemi më pak të suksesshëm, në mënyrë që të jemi më të suksesshëm në këtë periudhë, nëse është e mundur, ose në mandatin e ardhshëm. Ky është qëllimi i këtij aktiviteti në terren, përmes takimeve të drejtpërdrejta me qytetarët”, deklaroi Mickoski.
Ai vlerësoi se Qeveria e tij është llogaridhënëse dhe transparente, duke shtuar se gjatë dy deri në dy vjet e gjysmë të fundit, ai dhe anëtarët e kabinetit kanë qenë vazhdimisht të pranishëm në opinion përmes deklaratave dhe pjesëmarrjes në ngjarje publike.
VMRO-DPMNE dje njoftoi se do të nisë aktivitete në terren, me vizita në të gjitha vendbanimet për t’u takuar me qytetarët.
Sipas partisë, në këto takime do të diskutohet për punët e realizuara dhe respektimin e afateve, me qëllim përmirësimin e funksionimit të institucioneve dhe rritjen e kënaqësisë së qytetarëve.


