Rina Ajdari reagon ndaj Bekim Salit: Gjuha shqipe nuk është gjuhë e përkthyer, është gjuhë zyrtare!

Deputetja e BDI-së, Rina Ajdari, ka reaguar ashpër ndaj zëvendëskryeministrit Bekim Sali, pas paraqitjes së tij në Komisionin për Çështje Evropiane, ku u diskutua Raporti i Progresit i Komisionit Evropian për Maqedoninë e Veriut, ku gjuhën shqipe e trajtoi si gjuhë të përkthyer, shkruan Top24

Përmes një postimi publik, Ajdari ka kritikuar faktin që Sali, sipas saj, fillimisht iu drejtua të pranishmëve në gjuhën maqedonase dhe më pas në gjuhën shqipe, duke e interpretuar këtë veprim si trajtim të shqipes si gjuhë e përkthyer.

Ajo ka theksuar se deputetët shqiptarë në Kuvend kanë të drejtë të flasin shqip në bazë të Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve, ndërsa ka ngritur akuza ndaj përfaqësuesve shqiptarë në pushtet për, siç shprehet, servilizëm politik dhe shkelje të parimeve kushtetuese e ligjore.

„Gjuha shqipe nuk është gjuhë e përkthyer. Kjo gjë nuk falet dhe nuk tolerohet“, është mesazhi që përcjell reagimi i deputetes Ajdari.

Reagimi i saj rikthen në vëmendje debatin politik për statusin dhe përdorimin e gjuhës shqipe në institucionet shtetërore të Maqedonisë së Veriut.

Zëvendëskryeministri Bekim Sali, sot në Komisionin për çështje evropiane ku u diskutua Raporti i Progresit të Komisionit Evropian për Maqedoninë e Veriut e dëshmoi një gjë: që gjuhën shqipe e konsideron gjuhë të përkthyer, edhe atë duke na u drejtuar në fillim maqedonisht e më pas shqip.
Turp është pak për të thënë për këtë veprim.
Deputetët shqiptarë në Kuvend flasin shqip sepse këtë ua mundëson Ligji për përdorimin e gjuhëve por për shkak të servilizmit të skajshëm politik detyrohen të shkelin mbi Kushtetutën, mbi ligjin, mbi gjuhën shqipe dhe mbi identitetin kombëtar.
Kjo gjë nuk falet dhe nuk tolerohet.