Ish-modelja e revistës Playboy, Karissa Shannon, ka konfirmuar pretendimet e bëra më herët nga Crystal Harris, e veja e themeluesit të revistës, Hugh Hefner, sipas të cilave ai u kërkonte asaj dhe motrës së saj binjake, Kristina Shannon, të kryenin marrëdhënie seksuale me njëra-tjetrën.
“Ai përpiqej të më detyronte mua dhe motrën time të kryenim marrëdhënie me njëra-tjetrën”, deklaroi Karissa, duke shtuar se kjo ishte një përvojë e tmerrshme për të dyja.
“Unë dhe motra ime nuk e bëmë kurrë realisht këtë. Dua ta bëj të qartë. Ne vetëm shtireshim. E bënim sikur çdo herë dhe ishte e tmerrshme”, rrëfeu ajo.
Karissa dhe Kristina Shannon jetuan në rezidencën e famshme të Playboy në Los Angeles nga mosha 18 deri në 20 vjeç, gjatë periudhës kur kishin një marrëdhënie me Hefnerin. Ajo kujtoi veçanërisht ngjarjet e ditëlindjes së tyre të 19-të, në tetor të vitit 2008, duke i përshkruar takimet seksuale me themeluesin e Playboy si abuzim dhe përdhunim.

Sipas saj, Hefner nuk e kuptonte se motrat vetëm po shtirreshin dhe besonte se ato po kryenin realisht veprimet që ai kërkonte. Karissa pretendon se kjo gjë e kënaqte atë, ndërsa u thoshte motrave se, nëse e donin vërtet njëra-tjetrën, duhej ta bënin së bashku.
Deklaratat e saj vijnë pas rrëfimit të Crystal Harris, e cila në një intervistë në podcastin “Lisa Guerrero Unleashed”, më 27 tetor, pretendoi se Hefner kishte tentuar t’i shtynte dy motrat drejt kontakteve seksuale me njëra-tjetrën. Harris e përshkroi situatën si tronditëse dhe tha se nuk dëshironte që ato të detyroheshin të përjetonin diçka të tillë.
Karissa tha se ishte habitur nga reagimi i publikut ndaj këtyre pretendimeve, pasi mendonte se njerëzit e kishin kuptuar tashmë se çfarë ndodhte në rezidencën e Playboy.
Hugh Hefner, themeluesi i revistës së famshme, ndërroi jetë në shtator të vitit 2017, në moshën 91-vjeçare.


