Kryeministri Hristijan Mickoski deklaroi se gjatë kontrolleve të sistemit të ndihmës sociale janë zbuluar mbi 4.500 përfitues që, sipas tij, nuk i plotësonin kushtet për të marrë ndihmë shtetërore.
Mes tyre, siç tha ai, kishte persona të vdekur, qytetarë të larguar nga vendi dhe përfitues fiktivë.
Mickoski bëri të ditur se pas kontrolleve, shuma e parave të planifikuara për pagesën e ndihmës sociale këtë muaj është rreth 200 milionë denarë më e ulët se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Sipas vlerësimeve të tij, në nivel vjetor shteti ka ndarë mbi një miliard, madje deri në 1.5 miliardë denarë, për pagesa ndaj personave që nuk duhej të përfitonin, që përkthehet në rreth 25 milionë euro.
Kontrollet ende nuk kanë përfunduar. Mickoski tha se mbetet të verifikohet edhe një pjesë e konsiderueshme e përfituesve dhe paralajmëroi kontrolle të ngjashme edhe në sektorë të tjerë.


