LSDM kërkon dorëheqjen e Klekovskit: Në Onkologji sërish mungojnë ilaçet

Me Klekovskin dhe Mickoskin, shëndetësia është në kaos, mungojnë ilaçet dhe njerëzit po vdesin. Pacientët onkologjikë sërish kanë mbetur pa terapi, për të disatën herë që kur VMRO-DPMNE është në pushtet. Mungon ilaçi “Paklitaksel”, ndërsa pacientët po kthehen në shtëpi pa terapinë e nevojshme, me njoftimin se ilaçi nuk do të jetë në dispozicion deri në Vitin e Ri, deklaroi sot Elena Radeska nga LSDM.

Sipas saj, pacientët onkologjikë do të duhet të presin deri në Vitin e Ri, duke mbetur pa terapinë e nevojshme, e cila për ta është çështje jete.

Ajo vlerësoi se kjo paraqet rrezikim të jetës së njerëzve, për të cilin përgjegjësi të drejtpërdrejtë mban Klekovski.

“Pacientët që tashmë kanë kaluar cikle të vështira të trajtimit, tani janë vënë në rrezik që sëmundja t’u përparojë.

Në vend të një zgjidhjeje urgjente dhe sigurimit të ilaçit, pacientëve u thuhet se duhet të presin deri në Vitin e Ri. Ky është kolaps i plotë i sistemit shëndetësor për shkak të tenderëve kriminalë, për shkak të Mickoskit dhe Klekovskit. Kaosi që ka krijuar Klekovski rrezikon shëndetin dhe jetën e qytetarëve. Grupi i organizuar kriminal i VMRO-së edhe shëndetin e qytetarëve e sheh përmes prizmit të tenderëve dhe fitimeve në kurriz të popullit”, deklaroi Radeska.

Ajo shtoi se nuk ka para për ilaçe, pajisje mjekësore, punësime dhe paga më të larta, por ka para për tenderët partiakë.
Radeska kërkoi dorëheqjen e Klekovskit.

“Kërkojmë përgjegjësi për të gjithë ata që lejuan që jeta e pacientëve onkologjikë të vihet në rrezik.
Kërkojmë që ilaçi ‘Paklitaksel’ të sigurohet menjëherë për të gjithë pacientët që kanë nevojë për të, pa arsyetime, pa bartje të fajit dhe pa shtyrje të reja.
Bëhet fjalë për shëndetin e njerëzve dhe kjo nuk mund të presë”, deklaroi Radeska.