Limani me mesazh për spekulimet: Jam dhe mbetem në ASH, nuk jam politikan “tregtar “- çdo veprim imi është transparent

Limani me mesazh për spekulimet politike: Veprimet e mia janë publike, mbetem në ASH

Kryetari i Komunës së Gostivarit, Valbon Limani, ka komentuar pjesëmarrjen e tij në aktivitetin e organizuar nga Ambasada e Republikës së Kosovës në Maqedoninë e Veriut, me rastin e vizitës së kryeparlamentares së Kosovës, Albulena Haxhiu, duke hedhur poshtë interpretimet politike që janë bërë lidhur me praninë e tij në këtë ngjarje.

Në një intervistë për emisionin „Dialog te Lajmi“, Limani tha se në aktivitet kishte marrë pjesë me ftesë të ambasadorit të Kosovës, z. Qehaja, dhe se nuk sheh asgjë të jashtëzakonshme që si kryetar i një komune me shumicë shqiptare të marrë pjesë në një aktivitet të organizuar nga Ambasada e Kosovës.

Ai theksoi se përfaqëson të gjithë qytetarët e Gostivarit dhe se respekti i tij ndaj institucioneve të Kosovës është i njëjtë me atë ndaj institucioneve të Shqipërisë.

„Nuk shoh asgjë tragjike që si kryetar komune me shumicë shqiptare të marr pjesë në një aktivitet të cilin e organizon Ambasada e Republikës së Kosovës. Interpretimet gjithmonë mund të jenë të ndryshme, por unë përfaqësoj Komunën e Gostivarit dhe të gjithë banorët e saj. Ambasada e Kosovës e ka respektin e njëjtë sikurse edhe Ambasada e Republikës së Shqipërisë. Ne jemi të lidhur shpirtërisht dhe në forma të ndryshme si me Republikën e Shqipërisë, ashtu edhe me Republikën e Kosovës“, deklaroi Limani.

Ai bëri të ditur se, sipas informacioneve që ka, ftesa për këtë aktivitet u ishte dërguar të gjithë kryetarëve shqiptarë të komunave, duke theksuar se duhet të krijohet një standard i ri politik, ku raportet me Kosovën dhe Shqipërinë trajtohen në mënyrë të barabartë dhe vëllazërore.

Ndërkaq, duke komentuar interpretimet dhe spekulimet për pozicionimin e tij politik dhe mundësinë e kalimit në VLEN, Limani ishte i drejtpërdrejtë, duke theksuar se mbetet në Aleancën për Shqiptarët (ASH).

„E kam thënë dhe përsëri do ta them: unë nuk jam politikan tregtar dhe secilin veprim timin e bëj me vetëdije të plotë, në mënyrë transparente dhe publike. Ata që interpretojnë se diçka po ndodh, le të mos kenë dert, sepse nëse ndonjëherë ndodh diçka, gjithçka do të jetë publike dhe të gjithë do ta dinë“, u shpreh Limani.

Me këtë deklaratë, Limani u dërgoi mesazh atyre që spekulojnë për të ardhmen e tij politike, duke lënë të kuptohet se nuk ka ndryshim të pozicionimit të tij dhe se vazhdon të jetë pjesë e Aleancës për Shqiptarët, e jo e VLEN-it..