Mbi 45 projekte janë realizuar në Komunën e Gostivarit gjatë periudhës së fundit, përfshirë investimet nga thirrjet qeveritare dhe projektet e financuara nga buxheti komunal. Kështu ka deklaruar kryetari i Komunës së Gostivarit, Valbon Limani, në intervistën për emisionin „Dialog te Lajmi“.
Limani bëri të ditur se Komuna e Gostivarit ka përfituar projekte nga dy thirrjet qeveritare, fillimisht 13 dhe më pas edhe rreth 50 projekte, ndërsa projektet e miratuara tashmë i kanë përfunduar procedurat dhe një pjesë e tyre janë realizuar, kurse të tjerat pritet të vazhdojnë gjatë pranverës.
„Nga dy thirrjet qeveritare kemi përfituar fillimisht, e më pas rreth 50 projekte. Këto projekte tashmë janë duke u realizuar, procedurat janë përfunduar. Disa projekte janë realizuar, ndërsa disa të tjera pritet të vazhdojnë gjatë pranverës. Në këtë drejtim, për të qenë i sinqertë, nuk kemi pasur ndonjë problem rreth bashkëpunimit me pushtetin qendrorë“, deklaroi Limani.
Ai theksoi se, përveç investimeve nga thirrjet qeveritare, Komuna ka realizuar edhe projekte me mjete vetanake, duke bërë të ditur se në total bëhet fjalë për mbi 45 projekte gjatë periudhës 15–16-mujore kur ishte ushtrues detyre dhe periudhës nga 11 janari e këndej.
Duke folur për investimet që qytetarët mund t’i presin në periudhën e ardhshme, Limani veçoi bulevardin kryesor „Vëllezërit Gjinoski“, punimet për të cilin tashmë kanë filluar. Sipas tij, synimi është që deri në përfundim të mandatit ky projekt të përmbyllet me zgjerim të bulevradit me katër korsi, ndriçim publik dhe hapësira të dedikuara për këmbësorë dhe biçiklistë.
Një tjetër projekt i rëndësishëm është ura te Gjykata, realizimi i së cilës ishte paraparë gjatë verës, por ishte shtyrë për shkak të ardhjes së mërgimtarëve. Limani tha se punimet mund të nisin edhe tani nëse kushtet atmosferike e lejojnë, në të kundërtën projekti do të fillojë në pranverë.
Krahas këtyre projekteve, kryetari i Gostivarit përmendi edhe vazhdimin e ndërtimit të kanalizimit fekal me linjat kryesore në fshatin Çegran, investimet e parapara në terrenet sportive, si dhe projektin për furnizim me ujë në fshatin Debresh.
Limani foli edhe për nevojën e rritjes së të hyrave komunale dhe avancimit të procesit të decentralizimit, duke vlerësuar se komunat kanë nevojë për më shumë pavarësi financiare për të qenë më funksionale dhe për t’i përmbushur obligimet ndaj qytetarëve.
„Të hyrat që aktualisht i marrin komunat nuk janë të mjaftueshme për një funksionim efektiv, duke filluar nga pjesa e TVSH-së e deri te burimet e tjera financiare. Ky debat duhet të shtrohet më seriozisht, sepse komunat duhet të jenë më funksionale dhe më efektive në kryerjen e obligimeve të tyre“, u shpreh Limani.
Ai shtoi se investimet e përmendura kanë për qëllim përmirësimin e kushteve të jetesës në qytet dhe vendbanimet rurale të Gostivarit, duke theksuar se zhvillimi i komunave duhet të jetë një nga prioritetet e çdo qeverie.


